Veliaj nuk e pret. Takohet me Bashën, Metën e Ruçin

Veç ndasive me Kryeministrin Rama, Albin Kurti pati probleme edhe me axhendën  në vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë si kreu i ri i qeverisë së Kosovës.

Një takim i parashikuar në orën 11:55 me Kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj nuk u zhvillua  për shkak të zgjatjes së takimit me kryeministrin Rama.

Mësohet se pasi i është kërkuar dy herë nga stafi i Kurtit shtyrja e takimit, Kryebashkiaku Veliaj ka vendosur të mos e presë shefin e qeverisë së Kosovës, me argumentin se kishte parashikuar më herët një sërë aktivitetesh për festimet e 100 vjetorit në Tiranë.

Zyra e shtypit pranë Veliajt thotë se palët janë dakordësuar për një takim në një moment të dytë ku  kryebashkiaku  pritet t’i dorëzojë edhe  çelësin e qytetit.

 Edhe stafi i kryeministrit Kurti konfirmoi se shkak për anulimin e takimit u bë axhenda e Kurtit në Prishtinë.

 Kryeministri i Kosovës zhvilloi ndërkohë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, me të cilin bisedoi për afro 20 minuta.

Si Kurti ashtu edhe Basha pas takimit e vunë theksin tek bashkëpunimi në interes  të shqiptarëve në të dy anët e kufirit.

 “Është obligim i yni si politikanë kudo që jemi, tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë, për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre”, u shpreh Kurti.

 “Ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë e, në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizua, sikundër edhe për angazhimin tonë, sot dhe nesër, për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, sikundër edhe për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës”, tha Basha.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Albin Kurti u prit edhe nga Presidenti Meta.

Intensifikimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, aspirata e përbashkët europiane si dhe zhvillimet në rajon ishin në qendër të takimit.

Kryeministri Kurti u prit edhe nga Kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi.

Tv Klan