Një incident ka ndodhur në Fier mes hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Forcave Operacionale dhe mbështetësve të ish-kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj.

Deri më tani nuk dihen arsyet pse BKH-ja ka zbarkuar në Fier. Burime për gazetaren Glidona Daci thonë se sherri ka nisur për motive të dobëta mes palëve.

Ndërkohë në një reagim, policia e Fierit tha se Forca e Posaçme Operacionale dhe hetuesit e BKH-së kanë qenë në shërbim në Qarkun e Fierit pasditen e sotme.

Por rreth mbrëmjes, në aksin rrugor Fier-Patos ata janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona. Këta të fundit janë identifikuar dhe shoqërua nga policia.

“Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme. Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, njoftoi policia.

Ndërkohë burime për gazetaren Anila Sefa thanë se dyshohet se shkaku i incidentit ka qenë një vend parkimi që ka degjeneruar më pas në një sherr me grushta./tvklan.al