Mënyra e menaxhimit dhe reagimit për incidentet e ndodhura javët e fundit mes Greqisë dhe Turqisë në Mesdheun Lindor, ka bërë që të japë dorëheqjen këshilltari për sigurinë i Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Admirali Alexandros Diakopoulou është i bindur se anija kërkimore turke ‘Orus Reis’ po kryhen kërkime brenda shelfit kontinental të Greqisë, ndryshe nga qëndrimi i Athinës zyrtare që thotë se anija turke nuk ka mundur të realizojë kërkime.

“Të mos gënjejmë veten”, mësohet të jetë shprehur ai, sipas mediave greke, duke shkaktuar shqetësim në ambientet e Kryeministrisë greke. Për këtë arsye, ai paraqiti dorëheqjen, e cila u pranua nga ana e Mitsotakis.

Kjo tregon edhe pikëpamjet e ndryshme në menaxhimin e krizës mes qeverisë greke dhe këshilltarit të sigurisë.

Vetë Admirali Diakopoulou e njoftoi dorëheqjen e tij përmes një letre, në të cilën shkruante: “Deklarata ime një ditë më parë shkaktoi konfuzion dhe krijoi shqetësim për Kryeministrin dhe qeverinë, por nuk ishte aspak qëllimi im. Unë i kam shërbyer vendit tim për dekada me radhë dhe kam marrë përsipër përgjegjësitë e mia. Prandaj, jap dorëheqjen nga posti i këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Kryeministrit. Do të vazhdoj të ndihmoj atdhen në çdo mënyrë që të mundem”. /tvklan.al