Seanca parlamentare e kësaj të enjteje u zhvillua mes tensionesh dhe përplasjesh të ashpra.

Menjëherë pasi kryeparlamentari hapi seancën, opozita, me foto të protestuesve të lënduar në duar, bllokoi foltoren me argumentin se e vetmja çështje që duhet të diskutohej ishte protesta dhe kërkesat e studentëve, të cilëve u ka dalë në krah.

“Dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë së Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare, me mision të vetëm përgatitjen dhe garantimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme. Menjëherë më pas, vetëshpërndarjen e Parlamentit aktual, i cili nuk mund të pretendojë se përfaqëson normalisht vullnetin e qytetarëve përballë krizës së besimit dhe kërkesës për ndryshim”, tha Këlliçi.

Kur Taulant Balla mori fjalën për të shprehur qëndrimin e mazhorancës, Flamur Noka, i hoqi mikrofonin dhe hodhi letra në drejtim të deputetëve të mazhorancës, çka detyroi kryeparlamentarin të ndërpriste seancën.

Por rikthimi i punimeve dhe kërkesa e mazhorancës për të kaluar në proces votimi, përshkallëzoi edhe më shumë tensionet. Deputetët demokratë e socialistë u përplasën fizikisht me njëri-tjetrin.

Ndërsa mes kaosit, mazhoranca votonte pa diskutim të gjitha ligjet në rendin e ditës, përfshirë edhe projektvendimin për ringritjen e komisionit të reformës territoriale, opozita nuk i ndalte goditjet e tavolinave dhe thirrjet kundër qeverisë.

Akuzat palët i vijuan edhe jashtë sallës së Kuvendit. Kryedemokrati Sali Berisha përsëriti mbështetjen ndaj studentëve ndërsa kritikoi ashpër mazhorancën.

“Ky është parlamenti i krimit. Ky parlament nuk mund të vazhdojë. Ky parlament nuk ka legjitimitet. Ky parlament ka dalë nga një farsë elektorale. Ky parlament është shndërruar në mburojë të vjedhjeve të paimagjinueshme të shqiptarëve”, tha Berisha.

Balla tha se pavarësisht tentativave për të mos lejuar normalitet parlamentar, Kuvendi, do të çojë përpara ligjet në axhendë ndërsa akuzoi opozitën si nxitëse të dhunës në protestë.

“A ka deputetë të PD që kanë paguar 100 mijë lekë për kokë për të udhëzuar dhunë? 115 të kërkuar për zjarrvënie strehohen në selinë e PD. Por ajo që bëri një prokuror i Tiranës, i cili dihet për lidhje politike me anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kur vihet zjarr në gjykatë të lartë, kur vihet zjarr në të gjitha ministritë, mbi bankën e Shqipërisë dhe një prokuror firmos mosdërgimin e çështjes në gjykatë unë nuk di nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është në detyrë apo jo”, tha Balla.

Njëri-tjetrin e bënë përgjegjës edhe për sulmet në selitë respektive.

“Policia sulmoi vetë në mënyrë që t’ju gënjente ju, të gënjente para kamerave tuaja se gjoja selia e Partisë Demokratike u sulmua nga protesta”, tha Berisha.

“Sali Berisha është instruktori i goditjes së PS. E dinim që Berisha do të dërgonte njerëzit e vet për ta djegur. Jo vetëm që s’ka për ta djegur, por PS do ta mundë në 2027 dhe 2029”, tha Balla.

Në një reagim zyrtar, Grupi demokrat përgënjështroi deklaratën e Ballës se në selinë e PD janë vendosur persona të kërkuar për zjarrvënie dhe për këtë arsye, është kërkuar që mbledhjet e grupit të bëhen në kryesinë e kuvendit.

/tvklan.al