Një akt sabotazhi në uzinën kryesore bërthamore të Iranit, Natanz, mbase ka komplikuar bisedimet e nisura në Vjenë të Austrisë që kanë për qëllim rivënien në zbatim të një marrëveshjeje bërthamore mes Iranit dhe fuqive botërore e arritur në vitin 2015.

Irani e ka fajësuar Izraelin për sulmin në uzinë dhe vetëm dy ditë pas incidentit njoftoi se do të fillojë pasurimin e uraniumit me 60 për qind pastërti. Ky është niveli më i lartë deri më tash.

Më 14 prill, presidenti i Iranit, Hassan Rohani tha se ky vendim vjen si reagim ndaj sulmit në objektin e fshehtë nëntokësor.

“Përgjigjja ndaj djallëzisë suaj është: pasurimi në 60 për qind i uraniumit”, tha Rohani.

“Ajo që bëjmë ne është e ligjshme, ndërsa ajo që bëni ju është terrorizëm bërthamor”, tha ai.

Që kur ndodhi incidenti në Natanz, Irani ka thënë se ai është një akt i “terrorizmit bërthamor”, duke potencuar se sulmi kishte për qëllim që të pengojë zhvillimin e negociatave indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Negociatat mes vendeve që kanë mbetur palë në marrëveshje dhe Teheranit po zhvillohen në Vjenë. Shtetet e Bashkuara nuk po marrin pjesë direkt në bisedime, mirëpo një delegacion amerikan po qëndron në një vend afër Hotelit ku po mbahen bisedimet. Negociatat kanë për qëllim të kthejnë Uashingtonin në marrëveshje dhe të detyrojnë Teheranin ta zbatojë atë plotësisht.

I dërguari i Iranit në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Kazem Gharibabadi, tha më 14 prill se pasurimi 60 për qind i uraniumit do të fillojë javën e ardhshme. Sipas marrëveshjes të arritur në vitin 2015, mes gjashtë fuqive botërore dhe Iranit, parashihej që Teheranit t’i lejohet të pasurojë uraniumin deri në 3.67 për qind.

Për të prodhuar bombë bërthamore, pasurimi i uraniumit duhet të jetë 90 për qind.

Në muajin janar, parlamenti Iranian miratoi një ligj përmes të cilit i kërkonte qeverisë që të rrisë nivelet e pasurimit të uraniumit. Ligji u miratua pas vrasjes në Teheran, të shkencëtarit të lartë bërthamor iranian, Mohsen Fakhrizadeh. Për vrasjen e tij dyshimet u drejtuan kah Izraeli. Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 është kundërshtuar prej kohësh nga Izraeli.

“Ne nuk duhet t’i kthehemi marrëveshjes së rrezikshme bërthamore me Iranin, sepse një Iran bërthamor është një kërcënim ekzistencial për shtetin e Izraelit dhe një kërcënim i madh për sigurinë e të gjithë botës”, ka thënë më herët, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Incidenti në Natanz, i cili ka ulur fuqinë e uzinës, mbase do ta bëjë më të vështirë arritjen e kompromisit nga ana e negociatorëve iranianë, gjatë bisedimeve bërthamore, vlerësojnë analistët.

Vendet evropiane janë angazhuar si ndërmjetëse mes Teheranit dhe Uashingtonit.

“Politika e brendshme në Iran po e bën të vështirë arritjen e kompromisit. Kjo vetëm sa do të hedhë banzinë në zjarr”, i tha Radios Evropa e Lirë, Eric Brewer, një ekspert nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Pasurimi i uraniumit në 60 për qind është një hap i rëndësishëm, i cili do të shkurtojë afatet kohore të Iranit”, shtoi Brewer, i cili ka shërbyer edhe si zyrtar i Inteligjencës Kombëtare dhe ka qenë përgjegjës për monitorimin e programit bërthamor të Iranit. Me këtë veprim, sipas tij, nuk ka asnjë mundësi që të detyrohen Shtetet e Bashkuara të pranojnë kërkesat e Iranit.

“Një lojë e keqe” – kështu e ka quajtur incidentin në Natanz, ministri i Jashtëm Iranian, Mohammad Javad Zarif.

Ai tha se ky incident do të fuqizojë pozicionin e Iranit në bisedime, derisa kërcënoi me “hakmarrje” nëse përcaktohet se Izraeli qëndron prapa sulmit. Shkalla e dëmit që është shkaktuar në uzinë ende nuk është e qartë.

Sipas dy burimeve të inteligjencës, të cituara nga gazeta amerikane “New York Times”, prodhimi në Natanz mund të ndalej për të paktën nëntë muaj. Ligjvënësi iranian, Alireza Zakani, tha në një intervistë se “disa mijëra centrifuga u dëmtuan dhe u shkatërruan”.

Izraeli nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka konfirmuar rolin në këtë sulm. Burime të fshehta të inteligjencës i kanë thënë mediave izraelite se agjencia e inteligjencës izraelite Mossad ishte përgjegjëse.

Shtëpia e Bardhë ka mohuar përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në incident. SHBA-ja nuk e ka komentuar as mundësinë që ky incident të ndikojë në përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore. Sulmi në Iran, sipas ekspertit Brewer, ia ka bërë me dije Iranit se “kundërshtarët e tij mund të shtrijnë dorën në programin e tij bërthamor, sa herë që të dëshirojnë”.

“Ky sulm nuk është një sinjal i vogël, pas disa viteve të sulmeve kundër objekteve dhe shkencëtarëve iranianë dhe përpjekjeve që Irani ka ndërmarrë për t’i parandaluar ato”, tha ai.

Sipas, Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, sulmi në Natanz duket të jetë “një skenar i favorshëm për Izraelin”.

“Nëse nga frika e prishjes së diplomacisë për çështjen bërthamore, Irani nuk hakmerret, atëherë kjo për Izraelin paraqet një goditje pa kosto, por shkatërruese për programin bërthamor të Iranit. Nëse Irani hakmerret, atëherë rrezikon të përmbysë diplomacinë bërthamore. Edhe ky skenar është në përputhje me objektivat e Izraelit”, tha për Radion Evropa e Lirë, eksperti Ali Vaez.

Por, Dalia Kassa Kaye, një bashkëpunëtore në Qendrën Wilson mendon se sulmi në Natanz nuk kishte për qëllim vetëm pengimin e diplomacisë. Kjo uzinë ka qenë në shënjestër edhe në korrik të vitit të kaluar. Edhe atëherë, sipas saj, ishte fajësuar Izraeli, për dëmtimin e programit bërthamor të Iranit, i cili për zyrtarët izraelitë, paraqet kërcënim ekzistencial të Izraelit.

“Incidente të tilla sigurisht e komplikojnë diplomacinë për [administratën e presidentit amerikan Joe Biden] dhe ka të ngjarë që të ulin edhe më shumë besimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit”, tha ajo.

“Vështirë është të imagjinohet se administrata amerikane e ka mirëpritur këtë veprim në këtë kohë të ndjeshme në diplomacinë bërthamore”, shtoi ajo.

Agjencia e lajmeve Tasnim e Iranit, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), i bëri thirrje qeverisë së presidentit, Hassan Rohani, të largohet nga bisedimet e Vjenës.

Sipas kësaj gazete, bisedimet po ndodhin “nën hijen e terrorit “, dhe se sulmi në Natanz sipas saj ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Ligjvënësi Iranian, Mojtaba Zolnur, i bëri thirrje Rohanit që të mos i besonte Uashingtonit. Por, Reza Noroozpur, kreu i agjencisë zyrtare shtetërore të lajmeve IRNA, paralajmëroi kundër ndërprerjes së negociatave.

Ai tha se ndërprerja e bisedimeve është në fakt “kërkesë e (kryeministrit izraelit Benjamin] Netanyahut”.

Sipas tij, Teherani duhet të ndjekë një politikë të “durimit strategjik” dhe të hakmerret në një kohë të përshtatshme.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja historike në vitin 2018. Administrata e tij rivendosi sanksione ekonomike shkatërruese ndaj Iranit. Trump pati thënë se marrëveshja ishte e negociuar keq dhe se i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore.

Pas tërheqjes së SHBA-së, Teherani filloi me uljen e angazhimit në zbatimin e marrëveshjes. Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka shprehur gatishmërinë e saj për t’iu ribashkuar marrëveshjes bërthamore. Palë në këtë marrëveshje janë edhe Gjermania, Franca, Rusia, Britania e Madhe dhe Kina.

SHBA-ja ka thënë se fillimisht, Teherani duhet të fillojë zbatimin e saj.

Por, Teherani kërkon heqjen e të gjitha sanksioneve amerikane. Zyrtarët iranianë deri më tani kanë refuzuar çdo bisedim të drejtpërdrejtë me Uashingtonin, duke thënë se nuk është më një palë në marrëveshje./REL