Incidenti i ndodhur në ndeshjen Partizani-Flamurtari do të trajtohet me ashpërsinë e ligjit. Dhuna e tifozëve të Partizanit ndaj fotografit të Flamurtarit është dënuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila i bën thirrje të gjithë klubeve që të punojnë më shumë me tifozeritë dhe stafet e tyre, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

FSHF, sëbashku me zyrtarin e klubit vlonjat, i cili u dhunua nga tifozët e kuq kanë kallëzuar penalisht ngjarjen. Organizmi i futbollit i bën thirrje policisë dhe prokurorisë të vënë para ligjit agresorët, të cilët sipas saj, janë të evidentueshëm nga pamjet filmike.

Kjo ndeshje, edhe një herë vërtetoi se ruajtja e sigurisë brenda stadiumit me shërbimin standard nuk është plotësisht efiçente. Rrethimin e fushës së “Selman Stërmasit” e kaluan disa tifozë. Rikthehet në këtë mënyrë edhe një herë dyshimi se mbarëvajtja e ndeshjes nuk mund të kryhet plotësisht nga klubet e Superligës dhe se do të ishte e nevojshme prania e forcave të rendit.

Nga ana tjetër, për këtë ngjarje klubi i Partizanit rrezikon shumë. Sjellja e tifozëve të kuq në ndeshje të ndryshme është ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës në FSHF. Takimi i radhës i Partizanit është në derbi me Tiranën, ku bardheblutë janë organizatorë, megjithatë mund të ketë masa kufizuese për ultrasit e Partizanit.

Tv Klan