Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi ka ndërhyrë në emisionin Opinion në Tv Klan lidhur me incidentin që ndodhi javën e kaluar në zyrat e FRD, duke sqaruar se kreu i shtetit u pengua me forcë nga policët bashkiakë.

Por të kundërtën pretendon nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Mazniku, i ftuar në studion e Opinion, i cili thotë se asnjë nga policët bashkiakë nuk tentoi të pengonte Presidentin e Republikës.

Blendi Fevziu: Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi thotë: Presidenti Meta ende pa u futur në godinë, stafi i Policisë Bashkiake i shoqëruar me disa funksionarë publikë civilë në mënyrë të dhunshme ka penguar me dhunë e forcë fizike stafin që shoqëronte Presidentin e Republikës, përfshirë dhe disa drejtues të FRD. Ky ka qenë dhe momenti që kryetari i shteti dhe reaguar ndaj punonjësve të policisë bashkiake të cilët me veprimet e tyre kanë penguar Presidentin e Republikës të ushtrojë funksionet, përgjegjësitë dhe rolin e tij kushtetues. Mazniku gënjen dhe për këtë mjafton që kushdo t’i referohet pamjeve filmike.

Arbian Mazniku: Kjo është e pavërtetë. Kur ka ardhur Presidenti i Republikës, policët bashkiakë janë tërhequr dhe e kanë respektuar. Kanë treguar respektin jo ndaj zotërisë në fjalë që mban atë pozicion, por ndaj pozicionit, ndaj Presidentit të Republikës. Asnjë nga njerëzit e policisë bashkiake nuk kanë tentuar as më të voglën tentativë për të bërë. Krejt e kundërta ka ndodhur me njerëzit që kanë qenë duke shoqëruar z.Shehu dhe Presidentin, kanë agresuar pa asnjë lloj provokimi njerëzit që s’kishin fare me punën. Ata njerëzit që kanë qenë aty, nuk kanë qenë aty në raport me çështjen e FRD. Ata kanë qenë aty në procedurën e tyre të përditshme për të ruajtur ndërtesën në krah, hyrjen në krah. Ajo zyra në krah është një ndër zyrat e pritjes së popullit.   /tvklan.al