“Niveli më i ulët i indeksit të besimit që nga viti 2012”

Klima e biznesit në Shqipëri gjatë vitit 2020 ka pasur një përkeqësim, por pritshmëritë deri në fund të 2021-it janë optimiste. Konstatimi vjen nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Indeksin Vjetor të publikuar për vitin që lamë pas.

Sipas këtij matësi, viti 2020 shënoi një rënie me 0.5 pikë të besimit të biznesit në Shqipëri, krahasuar me vitin 2019, ndërkohë që rezulton më i ulëti që nga viti 2012, me 37.66 pikë.

Indeksi thekson nevojën e madhe që nevojitet për luftë ndaj korrupsionit të shtrirë në çdo fushë të jetës në Shqipëri, për pakësimin e polarizimit dhe luftës politike, si dhe për qasje miqësore ndaj biznesit.

Me e pafavorshmja mbetet klima ndaj biznesit, ku 71% e të anketuarve e kanë vlerësuar negativisht.

Me shqetësim indeksi flet edhe për rënien e punësimit, investimeve, shkëmbimeve tregtare, teksa cilësohen jokonkurruese taksat me vendet e rajonit, ku 60 për qind e të anketuarve e vlerësojnë si të pafavorshëm nivelin aktual të taksave.

Monopolet, konkurrenca e pandershme, niveli i informalitetit në ekonomi, mos respektimi i pronës private,  mungesa e stafit të kualifikuar, niveli i korrupsionit në vend si dhe burokracitë e qeverisë janë të tjera shqetësime që ngrihen në indeksin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Me pikë të larta indeksi vlerëson furnizimin me energji, marrëdhëniet me tatimet, me doganat, me qeverinë lokale,  dhe ministritë.

Në anketim Dhoma Amerikane shpreh besimin që praktika të ndershme dhe standarde demokratike do të garantonin një të ardhme më të mirë për investime dhe zhvillim ekonomik.

Tv Klan