Disa shtete po përballen me mungesë shtretërish, çmimet e bombolave të oksigjenit arrijnë në shifra rekord

Në shumicën e spitaleve në Delhi dhe në shumë qytete të tjera të Indisë janë ezauruar shtretërit plotësisht, duke i detyruar njerëzit të gjejnë mënyra për të marrë trajtim në shtëpi. 

Çmimet e bombolave ​​të oksigjenit dhe ilaçeve thelbësore janë rritur në tregun e zi. Të sëmurët tanimë po paguajnë 50,000 rupi ose 670 dollarë për një bombol me oksigjen. Situata është e tmerrshme në Delhi ku nuk ka mbetur asnjë shtrat. Familjet po punësojnë infermierë dhe po konsultohen në distancë me mjekët.

India në vetëm 24 orë ka raportuar më shumë se 354 mijë raste duke vendosur rekorde të reja globale, duke kapur një total prej gati 17.3 milionë të infektuar.

Testet PCR po zgjasin edhe me ditë. Ilaçi anti-viral remdesivir është në mungesë aq të madhe, saqë familjet e pacientëve që po trajtohen në shtëpi po nxitojnë ta sigurojnë atë. 

Varianti indian shkaktoi një milion infeksione në tre ditë. Një mutacion i frikshëm ky, që tani po tremb edhe Evropën. Pasi u shfaq në Itali, rasti i parë i këtij mutacioni u regjistrua edhe në Zvicër dhe më pas në Britaninë e Madhe. Varianti i quajtur B.1.617, i cili ka një mutacion të dyfishtë krahasuar me variantin original, duket se është i  transmetueshëm më lehtë.

Ministria e Jashtme e Britanisë ka thënë se rreth 140 ventilatorë dhe gati 500 kontejnerë oksigjeni do të arrijnë në Indi. Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë materialet e nevojshme për prodhim të vaksinës kundër koronavirusit, si dhe ventilatorë, teste dhe pajisje mbrojtëse.

Klan News