Vendimi erdhi pasi vendi u rendit në vend të dytë për numrin më të lartë të të infektuarve pas Brazilit

Një vaksinë e tretë e koronavirusit është miratuar për përdorim në Indi mes një vale vdekjeprurëse të dytë të infeksioneve.

Sputnik V i Rusisë është konsideruar i sigurt dhe ofron efektivitet në një mënyrë të ngjashme me dozën e Oxford-AstraZeneca. Sputnik V jep rreth 92% mbrojtje kundër Covid-19.

Miratimi i Sputnik V erdhi në një ditë kur India kaloi Brazilin për t’u bërë vendi me numrin e dytë më të lartë të rasteve në të gjithë botën. Me numrin e përgjithshëm të rasteve prej më shumë se 13.5 milionë raste, India tani është vetëm pas Shteteve të Bashkuara të cilat kanë raportuar më shumë se 31 milionë raste. Me 13.4 milionë raste, Brazili tani është në vendin e tretë.

Qeveria synon të vaksinojë 250 milionë njerëz me përparësi deri në fund të Korrikut. Vaksina e zhvilluar nga Instituti Gamaleya i Moskës, fillimisht krijoi disa polemika pasi u përhap para se të dilnin të dhënat përfundimtare të provës.

Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF) ka nënshkruar marrëveshje për të prodhuar më shumë se 750 milionë doza të Sputnik V në Indi. Kjo vaksinë po përdoret në një numër vendesh të tjera, duke përfshirë Argjentinën, territoret palestineze, Venezuelën, Hungarinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Iranin.

Ndërkaq vaksina Oxford-AstraZeneca po prodhohet në vend nga Instituti Serum i Indisë, prodhuesi më i madh i vaksinave në botë dhe sipas autoritetetve ajo po prodhon më shumë se 60 milionë doza në muaj. Provat klinike ndërkombëtare të vaksinës Oxford-AstraZeneca treguan se kur njerëzve i’u dha një dozë e gjysmë dhe më pas një dozë e plotë efektiviteti arriti 90%.

Klan News