Spitalet në kolaps, qeveria kërkon ndihmë ndërkombëtare

India po përballet këto ditë me situatë dramatike nga koronavirusi. Prej 1 jave në këtë vend nuk ndalet thyerja e rekordeve negative globale. 24-orëshi i fundit shënoi gati 353 mijë raste të reja infektimesh.

Përhapja me ritme shumë të larta e infektimeve ka futur në kolaps të plotë sistemin shëndetësor. Spitalet janë tejmbushur, teksa qeveria indiane ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara, Japonia, Koreja e Jugut e disa vende europiane po përgatiten të dërgojnë ndihma.

Shumë njerëz po kurohen nëpër shtëpi, ndërsa  çmimet e oksigjenit dhe ilaçet për rastet e rënda janë më shumë se 5-fishuar në tregun e zi, pasi në farmaci ka mungesa të theksuara. Edhe shifrat e viktimave po shënojnë rekorde.

Situata vijon të jetë e qëndrueshme në vendet europiane. Në Francë vijojnë të bien prej disa ditësh infektimet ditore. Shumë rajone të veriut të Italisë janë rikthyer në kategorinë e verdhë ku janë hapur bare e restorante nga kjo e Hënë. Megjithatë ekspertët janë të ndarë pasi një pjesë e tyre kërkojnë që pavarësisht lehtësimit të ndjeshëm të masave duhet të ruhet orari i shtetrrethimit pas orës 10 të natës.

Tv Klan