Shkak niveli i lartë i ndotjes në qytete

Shikimi nuk shkon përtej pak metrave në qytetet e mëdha indiane. Mjegulla e tymit dhe pluhurit ka mbuluar Nju Dehlin dhe qytete të tjera. Niveli i ndotjes ka kapërcyer 10 herë kufirin maksimal, brenda të cilit ajri konsiderohet i shëndetshëm, çka ka detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e emergjencës shëndetësore.

Banorëve u është kërkuar të shmangin sa më shumë daljen nga shtëpitë. Në 11 ditët e ardhshme, shkollat dhe disa institucione publike do të qëndrojnë të mbyllura. Në kantierët e ndërtimit, puna është ndalur. Janë marrë disa masa për të përgjysmuar qarkullimin e automjeteve dhe avionëve.

Banorët dhe turistët rrëfejnë se sa e rëndë është situata.

“Ndotja në Dehli është shumë e rëndë, po ashtu edhe këtu në aeroport. Po hasim vështirësi në frymëmarrje, na djegin sytë, sikur të na jetë hedhur piper”, thotë një punonjëse e aeroportit.

“Në këndvështrimin tim, gjendja është ekstreme. Vij nga Gjermania dhe kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë. Mu desh të mbaja maskë se nuk mundesha të merrja frymë”, shprehet një turist gjerman.

Ekspertët e krahasojnë këtë situatë me dhomat e mëdha të gazit, pasi në ajër qarkullojnë masivisht përbërje që të rrezikojnë jetën si dioksidi i karbonit, ai i azotit dhe sulfurit. Shkak nuk janë vetëm automjetet, por edhe çlirimi i tymit nga fabrikat, kantieret e ndërtimit, por edhe djegia e fushave për të pastruar tokat e punueshme.

Tv Klan