Ibrahimaj: Kompanitë që nuk kryen këtë procedurë do të penalizohen

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është duke hasur vështirësi në shpërndarjen e ndihmës financiare 40 mijë lekë për përfituesit e paketës së dytë të qeverisë.

Në një intervistë për televizionin Klan, Delina Ibrahimaj, Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve, thotë se ka mijëra raste që kompanitë nuk kanë aplikuar që punonjësit të marrin ndihmën e tyre, çka po detyron qeverinë që të ndryshojë vendimin e dhënies së kësaj page dhe të lejojë që aplikimin ta bëjnë dhe individët.

Njëkohësisht me këtë masë, qeveria pritet të miratojë së shpejti një akt normative i cili do të vendosë gjoba për kompanitë që nuk kanë aplikuar, por Delina Ibrahimaj thotë se do të përjashtohen firmat që kanë dhënë pagat vetë, e nuk kanë dashur të marrin nga fondi i ndihmës shtetërore.

Deri tani janë 132 mijë aplikime nga individët për të marrë ndihmë nga paketa e zgjeruar dhe për afërsisht 107 mijë persona ndihma është miratuar.

Drejtoria e Tatimeve është drejt mbylljes edhe të kalimit të pagës së dytë të luftës për përfituesit e paketës financiare të parë. 62 mijë të punësuar kanë marrë pagën 26 mijë lekë, dhe mbeten më pak se 2 mijë të tjerë për ta marrë.

Këta të fundit janë persona të cilët kanë shënuar gabim të dhënat e llogarisë bankare, dhe procesi i kthimit të pagesës nga banka zgjat disa ditë.

Tv Klan