Një vit më parë industria e bixhozit në Shqipëri qarkulloi 162 milionë Dollarë me mbi 4 mijë pika të shpërndara në të gjithë vendin.

Vitin e ardhshëm të gjitha kazinotë elektronike do të zhvendosen në zonat e pabanuara, ndërsa bastet sportive nuk do të lejohen më. Nisma tashmë është bërë konkrete ndërsa kryeministri njoftoi dërgimin e draftit në Kuvend.

Ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit të vitit 2015 sanksionojnë se organizatorët e basteve sportive dhe garave në pistë  do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në 31 Dhjetor të këtij viti, ndërsa ndërpret licensimi për të gjithë aplikimet që janë bërë deri tani nga këto biznese.

Për ish-ministrin e Financave Arben Malaj, mbyllja e lojrave të fatit është një nisëm që është tentuar nga shumë qeveri, por që për shkak të presioneve të forta është lënë në mes të rrugës.

Ai sqaron se kostot ekonomike që mund të krijohen nga humbja e vendeve të punës apo të ardhurat në buxhet nga këto ndërmarrje që mbyllen, mund të zëvendësohen me hapjen e bizneseve të reja dhe rritjen e konsumit në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Profesori i Ekonomisë tregon se industria e lojërave të fatit përdor makinacione marketingu të rrezikshme për krijimin e varësisë ndaj individëve, që nga ngjyrat, muzika dhe alkooli që përballen lojtarët.

Në Shqipëri, shoqëritë e lojërave të fatit renditen ndër më të mëdhatë sa i takojnë numrit të të punësuarve, ndërsa rreshtohen mes 100 tatimpaguesve me fitimet më të larta.

 

Tv Klan