Teksa Shqipëria prej 16 vitesh është pjesë e NATO-s, Kryeministri Edi Rama thotë se tashmë është momenti që vendi ynë të ketë industrinë ushtarake. Sipas kreut të qeverisë, së shpejti Shqipëria do të jetë një vend eksportues dhe bazë prodhimi.

“Kemi kushtet dhe i kemi mundësitë që të ndërtojmë një industri e cila brenda kësaj dekade të na japë, jo vetëm mbrapsht një aset të munguar të Republikës së Shqipërisë por brenda kësaj dekade të na japë edhe një kapacitet të ri të fitimit”, u shpreh Edi Rama.  

Kreu i qeverisë foli për pagat e ushtarakëve, që sipas tij, janë rritur ndër vite, dhe parashikon që t’u afrohen edhe mesatares së pagave të vendeve të përparuara që janë pjesë e NATO-s.

“Jemi sot në një pagë mesatare 1550 Euro. Nuk është stacioni ynë i fundit. Ne do të arrijmë të kemi një ushtri shqiptare të paguar në mesataren e forcave të armatosura të NATO-s”, tha kryesocialisti.   

Kryeministri renditi disa nga mbështetjet që Qeveria i ka dhënë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Mes tyre edhe përfshirja e familjeve të ushtarakëve kryesisht në programin e kredive të buta për shtëpi.

“Janë 179 efektivë që kanë përfituar nga një kredi me zero interes për shtëpi dhe ky program do zgjerohet”, përfundoi Rama.

Forcat e Armatosura demonstruan disa operacione ushtarake në Repartin e Operacioneve Speciale në Zall Herr, përfshirë zbritjen e forcave të armatosura nga helikopteri, ndërhyrjen e shpejtë në situata të rrezikshme dhe qitjen precize ndaj objektivave.

Klan News