Presidenti i FIFA deklaroi se tifozët problematikë nuk janë të mirëpritur në Kupën e Botës

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, deklaroi se siguria në Kupën e Botës është thelbësore në eventin që do të mbahet në Katar.

Deklarata e kreut të institucionit numër 1 të botës në futboll u bë në Kosta Rika, ku ai mori pjesë në finalen e botërorit për femra U-20.

Infantino takoi presidentin e vendit Rikardo Çavez dhe i dhuroi atij një fanellë, e shpjegoi arsyen përse eventi u zhvendos me një ditë para.

“Si gjithnjë në historinë e Botërorit, të kesh shansin e ndeshjes hapëse, është gjithashtu çështje e respektit të historisë së futbollit dhe sfida Ekuador-Katar është krenari për një vend. Nëse kjo zhvendosje shkakton ndonjë problem për dikë, do ta gjejmë një zgjidhje, si gjithnjë”.

I pyetur për shitjen e pijeve alkoolike gjatë eventit, Infantino tha se fansat nga e gjithë bota janë të mirëpritur në Katar, me përjashtim të  atyre që kërkojnë probleme.

“Të gjithë fansat anembanë botës janë të mirëpritur të festojnë, gëzojnë dhe të shikojnë ndeshjet. Por nëse dikush dëshiron që të vijë në Katar të shkaktojë probleme, sigurisht që ai nuk është i mirëpritur. Do të jemi mjaft strikt. Siguria e gjithsecilit është gjëja më e rëndësishme. Por do jetë një festë unike dhe kompletuar”.

Infantino po zhvillon një tur në Amerikën Qendrore këtë javë. Ai do të vizitojë gjithashtu shtetet e Nikaraguas dhe të Guatemalës.

Klan News