Al Nassr nuk do të marrë pjesë, por Cristiano Ronaldo mund të luajë në Botërorin e Klubeve. Kjo është bërë e ditur nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Kreu i qeverisë botërore të futbollit, në një intervistë të dhënë për YouTuber-in, IShowSpeed, tha se ekziston si mundësi që luzitani të jetë në eventin madhor.

“Ronaldo mund të luajë në Botërorin e Klubeve. Ka bisedime me disa klube”, tha Infantino.

Ronaldo iu bashkua Al Nassr në vitin 2022, pasi u largua nga Manchester United në mes të sezonit dhe kontrata e pesë herë fituesit të Topit të Artë me sauditët, skadon më 30 Qershor.

Al Nassr nuk do të jetë në Botërorin e Klubeve, por FIFA do të hapë një merkato në fillim  të Qershorit, për klubet që do të jenë aty, për të afruar lojtarë nëse dëshirojnë.

Kjo i jep mundësinë Ronaldos të zgjedhë një ekip për eventin në SHBA dhe më pas të rikthehet sërish tek Al Nassr.

Në Botërorin e Klubeve do të jetë edhe Inter Miami, skuadër ku luan Lionel Messi dhe në rast se Ronaldo shkon aty, mund të kemi sërish një përballje mes tyre.

/tvklan.al