E ftuar në programin “Historia ime” në TV Klan ishte infeksionistja Sabahete Dedja. Ajo shpjegoi etapat në të cilat sëmundja infektive shfaqet  duke u shprehur se tashmë virusi nuk është më tek dera, por ka hyrë brenda.

Sabahete Dedja: Koronavisusi nuk është më tek dera, por ka hyrë brenda. Për t’u shfaqur sëmundja infektive kërkon 3 etapa, etapa e parë është burimi i infeksionit, etapa e dytë është rrugët nëpër të cilat përçohet dhe etapa e tretë është reciptiviteti, personi nëpër të cilin futet ky mikrob, qoftë virus, qoftë bakter.

Sipas infeksionistes, për të mos u realizuar sëmundja infektive mjafton t’i ndërpresësh hallkën kryesore dhe mos i japësh mundësi të transmetohet.

Sabahete Dedja: Në rrugët e transmetimit janë pikërisht këto distanca që duhet të mbajmë nga njëri-tjetri, kur e kemi shumë të nevojshme për të vajtur në supermarket ose kudo. Sa më shumë të jetë e mundur të mbyllemi në shtëpi, të ndërpresim hallkën kryesore që ne e kemi në dorë. Për të mos u realizuar sëmundja infektive mjafton t’i ndërpresësh një hallkë, po të këputësh një hallkë nuk realizohet sëmundja. Pra ne këputim hallkën kryesore, që është burimi i infeksionit dhe nuk i japim mundësi të transmetohet dhe të shkojë të gjejë persona të tjerë të cilët të infektohen./tvklan.al