39 mijë raste të reja brenda 24 orëve

Shtetet e Bashkuara po i afrohen kulmit të dytë të pandemisë së COVID-19. Afro 39 mijë të infektuar të rinj iu shtuan listave të të prekurve me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit.

Tashmë vatrat e nxehta janë zhvendosur në jug, ku shumica e rasteve të reja janë regjistruar në Teksas, Kaliforni dhe Arizonë.

Autoritetet në këto vende u kanë bërë thirrje banorëve që të vetëizolohen, nëse kanë shenja infektimi. Shumica e shteteve federale amerikane kanë bllokuar hyrjen nga këto rajone.

Shtetet e Bashkuara kanë ¼ e rasteve të të prekurve nga COVID-19 në gjithë globin dhe renditen në krye të listës globale si për infektimet ashtu edhe për vdekjet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë megjithatë se në situatën më të vështirë janë vendet e Amerikës Latine, ku ende nuk është arritur kulmi i përhapjes. Brazili është vendi i dytë në botë pas Shteteve të Bashkuara me mbi 1 milion të prekur e rreth 54 mijë të vdekur.

Prej më shumë se dy javësh, Rusia ka mbi 7 mijë infektime ditore dhe është vendi i tretë në botë për nga numri i të infektuarve.

Në gjithë globin përllogariten mbi 9.5 milionë të prekur prej nisjes së pandemisë, ndër të cilët mbi 485 mijë kanë humbur jetën.

Tv Klan