Dje në mbarë botën numri i viktimave nga koronavirusi i kaloi 1 milion

Teksa një ditë më parë kapi shifrën e 1 milionëshit, Covid-19 vijon që të përparojë gjithnjë e më shumë. Vatra më e nxehtë tanimë, përpos Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Indisë, është bërë edhe Evropa, aty ku rastet po shtohen më shumë se ne ditët e para të shpërthimit të virusit.

Ekspertët kanë paralajmëruar se shifra e atyre që kanë humbur jetën mund të jetë edhe më e lartë nga çfarë raportohet.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres është shprehur se koronavirusi jo vetëm po sjell vdekje, por edhe po mpin trurin e njerëzve, duke sjellë pasojë të rënda tek ata.

Organizata Botërore e Shëndetësisë fundjavën e kaluar deklaroi se numri i viktimave mund të arrijë në dy milionë, para se vaksina të dalë në treg për popullatën. Një numër vendesh kryesisht në Evropë kanë parë rritje të të infektuarve gjatë muajve të fundit.

Franca, Britania dhe Spanja vijojnë të jenë në krye për shtim të rasteve të reja. Në Paris, mbi 4 mijë raste të reja u shënuan në këtë 24 orësh. Në Marsejë dhe disa qytete të tjera të jugut të Francës, baret dhe restorantet do të qëndrojnë të mbyllura për 15 ditë.

Autoritetet në Madrid kanë ngritur alarmin pasi spitalet mund të kalojnë sërish në kolaps teksa numri i atyre që ndodhen në terapinë intensive është rritur shumë.

Po ashtu edhe në Holandë maska është bërë më detyrim në çdo ambient ku ka grumbullime, përfshirë këtu edhe në supermarkete, në transportin publik,  restorante apo bare. Masat e reja do të fillojnë këtë të martë dhe do të zgjasin të paktën tre javë.

Restorantet dhe baret do të mbyllen në orën 22:00, një masë kjo që është ndërmarrë edhe në vende të tjera evropiane, si Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Franca, të cilat kohët e fundit po shqyrtojnë skenarin e një mbyllje tjetër.

Vendet e tjera që kanë parë një shpërthim të dytë të Covid-19 janë Rusia, Peruja, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Australia, që  edhe pse pasi u vendosën kufizime më të ashpra, tani po shohin rritje të rasteve.

Aktualisht numri i të infektuarve në të gjithë globin ka arritur në 33.5 milionë, nga ku mbi 1 milion kanë humbur jetën.

Klan Plus