Dyshime për një mutacion në New York që kapërcen mbrojtjen e vaksinave

Infektimet ditore shfaqin sërish shenja rritjeje në disa vende të botës, pas rënies së vazhdueshme prej fillimit të Janarit, kur u shënuan edhe rekordet e pandemisë.

Rritjen më të lartë të 24 orëve të fundit e ka Italia me mbi 3 mijë raste më shumë se një ditë më parë.

Edhe në Gjermani shifrat e të paktën 3 ditëve të fundit janë më të larta krahasuar me ditët respektive të një jave më parë. Ekspertët paralajmërojnë se rritja mund të vijë si pasojë e lehtësimit të masave kundër përhapjes.

Numrin më të lartë të infektimeve ditore në kontinent, megjithatë vijon ta mbajë Franca. Ndërsa Britania e Madhe ruan kuota të qëndrueshme.

Tendencë të dukshme rritjeje ka edhe në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet po bëjnë gjithnjë e më shumë përgjegjës një mutacion të ri të Covid-19 me vatër në New York, ku është shfaqur për herë të parë në Nëntor.

Ekspertët thonë se ky mutacion po përhapet me ritme të shpejta, por ende nuk kanë të dhëna të sakta se sa përqind të popullsisë të të infektuarve ka prekur.

Janë hedhur dyshime se varianti i ri kapërcen mbrojtjen që garantojnë vaksinat aktuale.

Tv Klan