Çomo: Është e pamundur të fshihen viktimat

Mjekët e spitalit Covid 1 reaguan ndaj akuzave të kryedemokratit Basha në emisionin “Opinion” në Tv Klan, që vdekjet nga Covid po fshihen. Shefja e Shërbimit Najada Çomo thotë se kjo është e pamundur të ndodhë.

“Nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit”.

Lulzim Basha ftoi mbrëmë prokurorinë të hetojë. Ndërsa shefja e Infektivit, duke u quajtur akuzat si tronditëse dhe goditje profesionale, tha se do të kërkojë hetim nëse deklaratat përsëriten.

“Bëjmë me dije se nëse kjo akuzë do të përsëritet do të ftojmë organet kompetente që të hetojnë duke bërë verifikimin e çdo kartele mjekësore. Nuk do të lejojmë pa ballafaquar me mënyrë miqësore apo ligjore këtë cënim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional. T’i jepet fund lojës politike dhe mediatike me humbje jete që ka sjellë telashe për bluzat e bardha gjithë këto vite”.

Në mbështetje të mjekëve reagoi edhe Kryeministri Rama, duke thënë se akuzat e Bashës cënojnë drejtpërdrejtë integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre dhe duke lajmëruar se për këtë çështje do të ketë një komunikim të shtunën me qytetarët.

Edhe Ministria e Shëndetësisë, në një reagim të saj, i hodhi poshtë akuzat. Por kryetari i Partisë Demokratike ka insistuar sërish duke postuar denoncimin e bërë në “Opinion” dhe duke thënë se opozita ka për detyrë të shpërndajë të vërtetën në emër të jetëve të humbura.

Tv Klan