Ambasada shqiptare në Itali përmes një postimi në Facebook ka treguar se është mbyllur përkohësisht dhe nuk do vazhdojë aktivitetin e saj sepse një anëtar i stafit ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Të gjithë punonjësit i janë nënshtruar testit të Covid-19 dhe janë marrë masa për dezinfektimin e të gjitha mjediseve. Ambasada i kërkon të gjithëve të mos paraqiteni pranë saj dhe të respektoni këtë njoftim deri në një përgjigje të dytë.

“Të nderuar bashkatdhetarë!

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë njofton se nesër, datë 15 tetor 2020, Zyra Konsullore e saj pezullon përkohësisht të gjitha shërbimet.

Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj për këtë njoftim të menjëhershëm, i kushtëzuar nga identifikimi i një rasti pozitiv ndaj Covid-19, ju bëjmë me dije se po merren të gjitha masat për dezinfektimin e të gjitha mjediseve tona dhe mbetemi në pritje të rezultateve të testimeve të kryera për Covid-19, për të gjithë punonjësit e Ambasadës në Romë, në mënyrë që të rifillojmë shërbimin sa më parë dhe me masat e nevojshme të sigurisë. Brenda ditës së nesërme do të njoftoheni për rifillimin e shërbimeve.

Lutemi të mos paraqiteni pranë Ambasadës Shqiptare në Romë dhe të respektoni këtë njoftim duke mbrojtur në këtë mënyrë veten dhe të afërmit tuaj.

Takimi i gjithsecilit do të zhvendoset në momentin më të afërt dhe të sigurt.

Faleminderit!”, shkruan Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë. /tvklan.al

https://www.facebook.com/AmbasciatAlbania/posts/3285632218202783