Në një dalje për mediat, zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka njoftuar se ka shkuar në 33 numri i të infektuarve në vendin tonë.

Ndërkohë ajo bën me dije se nga testimi i kampionit të dytë të mjekëve të Durrësit, ka rezultuar se një prej mjekëve është prekur nga koronavirusi.

“Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës.

Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit”.

Kujtojmë se në Durrës u shënua dhe rasti i parë i vdekjes nga koronavirus, një 73-vjeçare, e cila ishte kthyer nga Italia.

Viktima fillimisht nuk u kishte treguar mjekëve se ishte kthyer nga Italia, ndërsa vetëm pas disa ditësh kur gjendja e saj u përkeqësua rrëfeu historikun e udhëtimit.

Pas këtij rasti të gjithë mjekët i janë nënshtruar testimit për koronavirus dhe fatmirësisht deri më tani vetëm një prej tyre rezulton i prekur. /tvklan.al