Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka paralajmëruar këtë martë qeverinë se do marrin masa radikale nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Në një deklaratë për mediat, kryetari i sindikatës, Fitim Havolli u shpreh se kërkesat e tyre kanë kohë që janë bërë publike. Ai shtoi se duan paga më të larta, pagesat për orë shtesë dhe pagesë për ditët e punës gjatë fundjavës.

Sindikata shton se kërkesat e komunitetit të infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor janë legiitime dhe të realizueshme, “të merituara duke u bazuar në punën, angazhimin dhe sakrificën e komunteteve respektive”.

5 kërkesat e tyre themelore janë:  1. Koeficientin e pagave 3.2, me procedim të menjëhershëm të Ligjit të Pagave në Kuvendin e Kosovës; 2. Rritjen e pagesës së punës gjatë ndërrimeve të natës prej 18€ në 36€ ( 100% ); 3. Pagesën e rrezikshmërisë në punë; 4. Pagesën e punës gjatë fundjavës (vikendeve); 5. Pagesën e orëve shtesë.

Në fund ata u shprehën se në rast se Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK/QKUK zgjedhin injorimin kërkesat “barra dhe përgjegjësia e pasojave të masave eventuale sindikale do bie pikërisht mbi këto institucione”./tvklan.al