Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka zhvilluar një vizitë këtë të premte në Tiranë ku është takuar me homologen e tij, Olta Xhaçka. Të sukesshme e konsideroi Osmani këtë vizitë të tij dhe tha se shpreson që bashkëpunimi mes dy vendeve të intensifikohet.

Osmani u shpreh se RMV ka pasur mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, ndërsa tashmë aspiratë e dy vendeve mbetet integrimi në Bahskimin Europian. Ai shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kaluar pragun e fqinjësisë së mirë, që është një prej shtyllave për stabilitetin e të gjithë rajonit për Ballkanin sipas Osmanit.

Osmani i ka prezantuar Xhaçkës një iniciativë të re për bashkëpunim 3-palësh mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe RMV-së.

“Marrëdhëniet midis dy vendeve tona prej kohësh e kanë kaluar pragun e fqinjësisë së mirë dhe janë bazë e themeleve të miqësisë stabile dhe afatgjatë. Besoj se është përtej interesave të dy vendeve  tona dhe është një nga shtyllat për stabilitetin sigurinë dhe prosperitetin e gjithë rajonit. Qëllimet dhe interesat për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal janë të dyanshme. Si fqinj të afërt jemi drejtpërdrejtë interesuar për suksesin e dialogut Prishtinë-Beograd të udhëhequr nga BE dhe SHBA, i cili në masë të madhe do të frymëzojë një impuls të ri të besimit në rajon. Kontributi ynë në bashkëpunimin rajonal është i sinqertë dhe i hapur, pa marrë parasysh sa flitet brenda procesit të Berlinit apo nga minishengeni rajonal. Në këtë drejtim pata nderin t’i prezantoj ministres nismën e re për bashkëpunim 3 palësh e cila buron nga vendi ynë. E ashtuquajtura iniciativa 8.  Është një iniciativë e mirë që duhet të rinovojë mbështetjen politike, për projektet e infrastrukturës përgjatë korridorit 8 europian duke lidhur kështu Lindjen dhe Perëndimin e Ballkanit nga Adriatiku në Detin e Zi. Të tre vendet, RMV, Shqipëria dhe Bullgaria mund të gjejnë një forum të vlefshëm për promovimin e bashkëpunimit tre palësh duke intensifikuar shkëmbimin e përgjithshëm politik ekonomik të sigurisë, atë kulturor dhe shoqëror që do të forcojë besimin mes qytetarëve tanë”.

Mes temave të diskutimit ka qenë edhe ai për forumin e Prespës për dialog si një mënyrë promovimi të multikulturalizmit në rajon dhe procesit të pajtimit si një sfidë e rëndësishme për të gjithë vendet e Ballkanit. Po ashtu mes dy diplomatëve është nënshkruar edhe një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e diasporës.

“Nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim në fushën e diasporës, një sukses i dy qeverive për çka dua të shpreh mirënjohjen time në këtë drejtim”, tha Osmani./tvklan.al