Nga dita e nesërme do të nisë inspektimi i përbashkët nga Inspektoriati i Kosovës dhe SHÇBA- së  (Shërbimi për çështjet e Brendshme dhe Ankesat) i Shqipërisë.

Ceremonia e fillimit të këtij inspektimi do të nisë nga ora 11:00, në objektin e Drejtorisë së Policisë në Kukës, pas një takimi të përbashkët në mes agjencive mbikqyrëse të policisë së Kosovës dhe Shqipërisë (IPK-së dhe SHÇBA-së) si dhe përfaqësuesve të policive kufitare të dy vendeve, raportojnë mediat kosovare.

Ky inspektim i përbashkët vjen pas nënshkrimit të protokollit një javë më parë (më 13.04.2016) nga kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Fitim Shishani, dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHÇBA-së ,Arben Skendo dhe është në vazhdimësi të aktiviteteve në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e kontrollit të brendshëm dhe mbikëqyrjes policore, të nënshkruar nga ministrat e brendshëm të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, në Marsin e vitit të kaluar./tvklan.al