Punonjësit kryen kontrolle në hotelin me leje rikonstruksioni disa herë pa mandat inspektimi

11 inspektorët e IKMT-së që po hetohen nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit për shpërdorim detyre, janë duke u verifikuar edhe për gjobëvënie në kundërshtim me ligjin. Prokuroria po heton nëse ata i kanë kërkuar para pronarit të hotelit. Klan News mëson se nuk ishte hera e parë që inspektorët shkuan pranë hotelit tek kthesa e Rinasit. Ata kanë shkuar në kundërshtim me ligjin disa herë gjatë ditëve të fundit pa një mandat kontrolli. Pranë objektit që disponon leje për kryerjen e rikonstruksionit, ata tentuan të gjejnë shkelje. Një prej pretendimeve të ngritura nga ana e tyre ishte pse leja e punimeve ishte afishuar në një vend të caktuar dhe pse jo në ndonjë vend tjetër.

Pasi nuk evidentuan shkeljet, ata morën një mandat kontrolli dhe mbërritën sërish në dyert e hotelit. Edhe në këtë rast ata ishin në shkelje pasi nga 11 inspektorë, vetëm 4 prej tyre disponojnë urdhër për kryerjen e inspektimit në terren. Mbërritja disa herë pranë objektit ka shqetësuar dhe ka ngritur dyshime tek pronari, i cili bëri denoncimin pranë autoriteteve. Në deklaratat pranë oficerëve të policisë, inspektorët e IKMT-së janë shprehur se kishin shkuar pas denoncimeve të qytetarëve. Ata tashmë janë nën hetim për shpërdorim detyre, por prokuroria vijon hetimet mbi ta.

Procedimet ndaj punonjësve të IKMT-së vijnë vetëm pak kohe pas emërimit në detyrën e kreut të këtij institucioni të Agim Ismailit, i cili ka qenë më parë Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Prej emërimit të tij në krye të IKMT-së, ankesat nga bizneset, për kontrolle dhe sekuestrime në mënyrë të paligjshme janë shtuar dhe shumë prej këtyre ankesave kanë përfunduar në gjykatë me të proceduar punonjësit e IKMT apo institucionin e drejtuar nga Ismaili.

Klan News