Inspektorët e AKU-se vënë gjobë pa qenë prezent, drejtori ngre supet

Posta

Inspektorët e AKU-se vënë gjobë pa qenë prezent, drejtori ngre supet

21:11 16/10/2019

“Stop” ka udhëtuar drejt Cakranit, pasi administratori i firmës “Agronom Geoponos”, Sami Aliaj, ka denoncuar një gjobë të marrë padrejtësisht nga AKU. Ai tregon se shet tre produkte si pleh kimik për ushqyerjen e ullirit. Në datën 24 Qershor në firmën e tij kanë shkuar tre inspektorë të AKU-së, në një ditë, kur subjekti ka qenë i mbyllur.

Gjoba është vënë për mungesë të drejtuesit teknik dhe për mbajtjen e një pesticidi të palejuar në Shqipëri. Samiu shpjegon, se firma ka një drejtues teknik me kontratë 3-vjeçare, ndërsa pesticidin e përdorte për tokat e tij. Nga pamjet filmike të biznesit të tij, nga tre inspektorët, që kanë firmosur në akt-konstatim, kanë qenë vetëm dy. Eduard Shenaj, edhe pse ka firmosur, nuk ka marrë pjesë në inspektim. Gjithashtu dhe ora e shënuar në proces-verbal ndryshon nga ora e pamjeve filmike.

Sami Aliaj: Quhem Sami Aliaj, administrator i këtij subjekti, “Agronom-Geoponos”. Kam 3 produkte për ushqimin e ullirit, siç është dap, ure dhe nitrat. Problemi është se me datë 26 Qershor më kanë ardhur 3 inspektorë të AKU-së, dhe më kanë vënë një gjobë prej 3 milionë lekësh të vjetra. 1 milionë gjoba është për drejtuesin teknik, dhe 2 milionë lekë të vjetra për një pesticid që unë e përdor për arat e mija. Nuk e shes, sepse po ta shisja, bidonët nuk do të ishin bosh këtu. Edhe ditën që kanë ardhur inspektorët bidonët kanë qenë bosh. Kanë ardhur 3 inspektorë, 2 kanë hyrë në subjekt, njëri është larguar. Kanë ardhur nga ora 09:30 deri në orën 10:30 dhe në letra është shkruar se, në gjobë, kanë firmosur 3 inspektorë dhe në orën 13:00 me 14:00. Jam ankuar për këtë dhe gjoba rri akoma në fuqi. Inspektori Eduard Shenaj nuk ka qenë në pronën time. Kërkoj ndihmë, ky është biznes familjar, unë këtu ushqej fëmijët me këtë dyqan. Për çfarë arsyeje?

Zotëria ka edhe pamjet filmike të ditës, kur tre inspektorët e AKU-së kanë ardhur në subjektin e tij. Pamja e parë është në orën 09:46 të datës 24 Qershor 2019. Mund të shohim se kur vjen makina. Pra nga AKU, në orën 09:47 kanë ardhur 3 inspektorë, një prej të cilëve, largohet. Në orën 10:07 minuta, zotërinjtë largohen nga subjekti. Në aktkonstatim shkruhet se zotërinjtë kanë qenë në orën 13:00 dhe kanë mbaruar inspektimin në orën 14:00. Nga kamerat e sigurisë në subjekt, shohet që në ato orare nuk ka inspektorë.  

Për problemin e Aliajt, gazetarja e “Stop” iu drejtua AKU-së në Fier, por as Drejtori Gëzim Aliaj dhe as inspektori përkatës, Eduard Shenaj, nuk ndodheshin aty.

Gazetarja i telefonoi Shenajt, por ai ia mbylli telefonin pa iu përgjigjur pyetjes se pse kishte firmosur pa qenë në subjekt.

Eduard Shenaj: Alo

Gazetarja: Eduard si jeni, Viola jam, gazetare e “Stop”. Të telefonoj për një problem që ka firma “Agronom-Geoponos” që ju keni qenë për inspektim në datën 24 Qershor. Në fakt ju nuk keni qenë. Pse keni firmosur tek akt-konstatimi që është dorëzuar në AKU?

Eduard Shenaj: Kam qenë unë atje, si nuk kam qenë?!

Gazetarja: Ti thjeshtë ke zbritur nga makina dhe je larguar, nuk ke qenë në inspektim. Pse keni firmosur?

Eduard Shenaj: Kam qenë, dy minuta për arsye të miat personale. Kam lëvizur dy minuta.

Gazetarja: Vetëm për dy minuta? Sepse nga pamjet e kamerave ti nuk dukesh…

Eduard Shenaj: Të lutem tani, kam qenë, vetëm për arsye personale. Kaq!

Gazetarja: Nga pamjet filmike të zotërisë, ti rezulton që në orën e inspektimit nuk ke qenë fare aty. Madje, madje, as kur hipin zotërinjtë në makinë ti nuk ke qenë aty.

Eduard Shenaj: Po!

Gazetarja: Pse keni firmosur aty?

Eduard Shenaj: Të lutem tani, po të them, kjo ka qenë arsyeja! 2 minuta!

Gazetarja: Sami Aliaj ka marrë një gjobë 3 milionë për diçka që ti ke firmosur dhe ti as nuk ke qenë aty.

Eduard Shenaj: Të sqarova të lutem, më duket, se të sqarova.

Gazetarja: Kështu funksionon gjithmonë me ju?

Eduard Shenaj: Po tani të lutem, tani!

Gazetarja: Po të bëj një pyetje, mu përgjigj pak të lutem. Kështu firmosni gjithmonë kur nuk jeni në inspektim?

Eduard Shenaj: Mirë u dëgjofshim! Gjithë të mirat!

Gazetarja: Kështu firmosni gjithmonë?

Eduard Shenaj: Nuk janë të vërteta ato, që të janë thënë ty.

Gazetarja: Nuk më janë thënë mua, unë i kam parë vetë pamjet dhe ti nuk ke qenë aty. Më thuaj vetëm kaq, kështu firmos gjithmonë?

Eduard Shenaj: Të lutem tani, do e mbyllësh telefonin?

Gazetarja: Do ta mbyll unë? Jo unë dua një përgjigje, më thuaj pse ke firmosur?

Pra zotëria e mbylli telefonin, megjithëse nga pamjet filmike, ne e konstatuam se zotëria ka zbritur nga makina dhe është larguar, nuk ka qenë në vendin e inspektimit.

Në drejtorinë rajonale të AKU-së, drejtori thotë senuk ka informacion për mungesën e inspektorit dhe se atij i mjafton procesverbali. Edhe për çështjet e tjera drejtori thotë se nuk mund të gjykojë, se nuk është kompetent.

Problemi i drejtueses teknike

Drejtori: Unë, në zanat, jam veteriner dhe nuk e njof mirë.

Gazetarja: Kë sektor nuk njef mirë?

Drejtori: Kjo e bimëve, për të folur me letra, në kuptimin e kësaj, që s’mund të flas në ajër.

Gazetarja: Se shkoi inspektori juaj dhe nuk ishte aty në moment drejtuesi teknik do të thotë, që ai subjekt, nuk ka drejtues teknik?

Drejtori: Tani kjo është quajtur shkelja.

Gazetarja: Jo edhe unë erdha këtu dhe nuk gjeta asnjë inspektor. Kjo quhet shkelje?

Drejtori: Unë jam në punë.

Gazetarja: Po nuk ishe, pra. Do të thotë, që është shkelje?

Drejtori: Po unë nuk i jam i detyruar që të rri në zyrë.

Gazetarja: As drejtuesja teknike nuk është, se mund të ketë një problem, mund të ketë një problem të sajin, që iku.

Drejtori: Mua mund të më kërkojë një grup, në momentin e inspektimit dhe mund të vija dhe vetë. Kështu është ligji?

Gazetarja: Si është ligji?

Drejtori: Ligji është tregtime të tjera dhe të rrezikshme, duhet të tregtohen nga agronomë të specializuar, ose që janë drejtuesit teknikë në subjekt.

Gazetarja: Kjo është kontrata e drejtuesit teknik. Në 2017-ën, në Fier, në datën 07.02.2017 dhe  është një kontratë 3-vjeçare dhe jemi në vitin 2019, apo jo?

Drejtori: Nuk jam kundër asaj kontrate, që mund të nxirrni ju. Po ça rëndësie ka?!

Gazetarja: Por, që për këtë është dënuar me 1 milionë lekë gjobë. Në momentin, që inpektorët tuaj e kanë gjetur mbyllur, do të thotë, që nuk ka drejtues teknik ajo firmë?

Drejtori: Nuk kam informacion, që subjekti është mbyllur.

Gazetarja: Thërrite inspektorin!

Drejtori: Tani, a më ke thirrur mua?

Gazetarja: Ti nuk e di , unë dua një përgjigje, prandaj kam ardhur. Ti nuk e di. Thërrite pak inspektorin!

Drejtori: Inspektorin, nuk e kam atë kompetencë unë, që t’i kërkoj tek puna  e vet inspektorit llogari.

Gazetarja: Ti nuk do, që ta ballafaqosh?

Drejtori: Nuk është halli dua, apo s’dua unë.

Problemi i mungesës së inspektorit në subjekt

Drejtori: Nuk mund të jap unë llogari për inspektorin, që është larguar.

Gazetarja: Po kush më jep mua llogari?

Drejtori: Tani, ai n.q.s, subjekti vetë mund të bëjnë kallëzim, a punë e tij…nuk mund ta them unë.

Gazetarja: Këtu e vërteton, që inspektori juaj, vendoseni play dhe ta shihni.

Drejtori: Le që s’ka drita njëherë, po s’mund të vendos unë ato kasetat. Ajo është cështje hetimi.

Gazetarja: Ai ka firmosur dhe pjesën e orarit, kur ka qenë.

Drejtori: Unë s’e di a ka qenë, apo jo në inspektim. Unë kam…

Gazetarja: Thërrite pak inspektorin!

Drejtori: Jo, nuk mundem! Të më falësh!

Gazetarja: Po pse nuk mund ta thërrasësh?

Drejtori: Nuk e kam unë atë tagër.

Gazetarja: Po pse kush e ka tagrin, për ta thërritur?

Drejtori: Të bëj unë gjykim të inspektorit, sepse thoni ju, që thirre edhe gjykoje?! 

Gazetarja: Ti nuk mban përgjegjësi për inspektorët?

Drejtori: Unë mbaj përgjegjësi dhe filloj nisjen disiplinore për inspektorin, si eprori direkt në kushtet, kur kam një provë.

Gazetarja: Kjo është prova juaj. Këtu ke pamjet filmike.

Problemi i pesticidit

Gazetarja: Ato bidonë janë gjetur bosh dhe në qoftë se do të ishte për t’u tregtuar, nuk do ishin bidonë apo jo? Si është rregulli?

Drejtori: Rregulli është një herë nuk lejohet. S’ka rregull ajo. Një pjesë, që nuk lejohet, nuk mund të them rregull unë. Një PMB e paregjistruar në Republikën e Shqipërisë, nuk lejohet të tregtohet.

Gazetarja: Nuk lejohet të tregtohet. Për përdorim vetjak, lejohet të përdoret?

Drejtori: Për përdorim vetjak, ligji i ushqimit nuk e përmban fare. Ju merrni për bazë fjalët e atij dhe nuk merrni për bazë të tre inspektorëve.

Gazetarja: Jo, unë nuk marr për bazë, unë marr faktin. Të tre inspektorëve? Të dy inspektorëve.

Drejtori: Ça rëndësie ka? 1 inspektori.

Gazetarja: Ka shumë rëndësi! Të njëjtin fakt ka sjellë inspektori jot, të njëjtin fakt më dha mua zotëria atje. Më dha thjesht dy bidonë bosh.

Drejtori: Ti thuaj është bosh ky, se është i bardhë?

Gazetarja: Po, është bosh!

Drejtori: Se është i bardhë? Të gjykoj unë për bidonin mbas tre muajsh, ose katër muajsh? Që është bosh, apo është plot?

Gazetarja: Çfarë gjykoni ju?

Drejtori: Po çfarë gjykoj unë?! Shikoj letrat këtu. Asnjëri nuk më ka ardhur në zyrë, që të më thojë, që ka ndodhur kjo gjë.

Gazetarja: Nga subjekti të kanë ardhur.

Drejtori: Jo! Nuk e kam shqyrtuar fare asnjë lloj ankese. Të më falësh për këtë. Në qoftë se e keni lexuar dhe ka firmën time, unë jam gati, që atje, ku kam firmosur vetë, të shpjegohem.

Gazetarja: Ky është juaji. (për pamjet filmike)

Drejtori: Jo, nuk më duhen!

Gazetarja: Këto janë provat!

Me sa duket, drejtorisë së AKU-së në Fier, nuk i intereson të bëjë ballafaqimin e së vërtetës, por preferon të qëndrojë në zonën gri, në atë të mosdijes./tvklan.al


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT