Regullatorët irlandezë kanë gjobitur rrjetin social Instagram me 405 milionë euro për shkelje të privatësisë së fëmijëve. Në ankesë paraqiteshin shkelje sa i takon të dhënave të fëmijëve, veçanërisht për numrat e tyre të telefonit dhe adresat e emailit.

Nga ana tjetër, kompania në pronësinë e të cilës është Instagram, Meta ka thënë se ka në plan që të apelojë vendimin. Kjo është gjoba e tretë që kësaj kompanie i vjen nga rregullatori iralndez.

“Ne miratuam vendimin tonë përfundimtar të premten e kaluar dhe ai përmban një gjobë prej 405 milionë € (349 milionë £),” tha Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave të Irlandës (DPC).

Ndërkohë një zyrtar i kompanisë Meta tha për BBC News: “Ky hetim u fokusua në cilësimet e vjetra që i përditësuam më shumë se një vit më parë dhe që atëherë kemi sjellë shumë veçori të reja për të ndihmuar në mbajtjen e adoleshentëve të sigurt dhe informacionin e tyre privat. Çdokush nën 18 vjeç e ka automatikisht llogarinë e tij private kur i bashkohet Instagramit, kështu që vetëm njerëzit që njohin mund të shohin se çfarë postojnë dhe të rriturit nuk mund t’u dërgojnë mesazhe adoleshentëve që nuk i ndjekin. Ne nuk jemi dakord me mënyrën se si është llogaritur kjo gjobë dhe synojmë ta apelojmë atë.

DPC është rregullatori i kompanive të mëdha të teknologjisë me seli evropiane në Republikën e Irlandës. Asnjëherë më parë, ky rregullator nuk ka vendosur një gjobë kaq të madhe për një shkelje të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian.

Vitin e kaluar, kjo kompani gjobiti WhatsAppin 225 milionë euro, ndërsa Autoriteti i të Dhënave të Luksemburgut gjobiti Amazon me 746 milionë euro./ tvklan.al