Instagrami ka kërkuar falje pas një gabimi me algoritmin e tij duke promovuar përmbajtje diete tek përdoruesit me çrregullime të të ngrënit.

Butoni i kërkimit tek aplikacioni rekomandoi automatikisht terma duke përfshirë “shtypës të oreksit” dhe “agjërim” për disa njerëz.

Platforma e mediave sociale tha se termat e dëmshëm tani janë hequr. Një zëdhënës i Facebook dhe Instagram, tha për BBC se ishte një gabim dhe çështja u zgjidh të hënën.

“Kohët e fundit kemi shfaqur një funksionalitet të ri kërkimi në Instagram përtej hashtag-ut dhe emrave të përdoruesit, për t’ju ndihmuar të zbuloni dhe eksploroni më lehtë përmbajtjen për të cilën jeni më i interesuar. Si pjesë e kësaj veçorie të re, kur prekni butonin e kërkimit, ne do t’ju sugjerojmë tema për të cilat mund të dëshironi të kërkoni. Këto sugjerime, si dhe vetë rezultatet e kërkimit, janë të kufizuara në interesat e përgjithshëm dhe humbja e peshës nuk duhet të kishte qenë një prej tyre”, është shprehur zëdhënësi.

Instagram ndalon çdo përmbajtje që promovon, inkurajon ose glorifikon çrregullimet e të ngrënit dhe kufizon postimet që reklamojnë produkte të humbjes së peshës në moshën mbi 18 vjeç.

Hope Virgo, një aktiviste e çrregullimeve të të ngrënit me më shumë se 10,000 ndjekës në platformë, tha se çështja po përkeqësohet në aplikacion.

“Njerëzit e pambrojtur po lexojnë këto përmbajtje që as nuk i kërkojnë vetë. Instagram ka burime dhe ekspertizë për të hequr përmbajtjen që ndikon keq tek njerëzit dhe në vend të kësaj të promovojë mesazhe të shëndetshme”, është shprehurHope Virgo.

Por përdoruesit me një histori të çrregullimeve të të ngrënit kanë thënë për BBC se në mënyrë të përsëritur rekomandohen përmbajtje të dëmshme në aplikacion. Kjo përfshin gjëra të tilla si postimet e numërimit të kalorive dhe planet dietë ose ushtrime për humbjen e peshës.

Instagram tha se rekomandon vetëm diskutime për fitnesin dhe ushqimin e shëndetshëm në seksionin Explore të aplikacionit. /tvklan.al