Është finalizuar operacioni policor i koduar “Kilovati” pas një hetimi disa mujor në Gjirokastër mbi kallëzimin e bërë nga Antikorrupsioni i Ministrisë së Drejtësisë.

Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar 16 persona, punonjës dhe ish-punonjës të OSHEE pasi dyshohet se bashkëpunonin me njëri-tjetrin duke shpërdoruar bazën materiale në magazinën e drejtorisë. Ata bënin të mundur sigurimin dhe instalimin e matësve të enegjisë pa i regjistruar në shërbim të qytetarëve të cilët nëpërmjet këtyre matësve vidhnin energji elektrike kundrejt përfitimit të paligjshëm.

Prokuroria vendosi masën e “arrestit në burg” për: S.K., 30 vjeç, R. Gj., 60 vjeç, R. B., 51 vjeç dhe I. B., 32 vjeç,.

Ndërsa për Xh. B., 62 vjeç, E. Xh., 39 vjeç, R. S., 68 vjeç, S. R., 42 vjeç, S. B., 58 vjeç, T. B., 37 vjeç, u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ndërkohë për 6 qytetarë të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe u është ndaluar dalja jashtë shtetit.

Uniformat blu bëjnë me dije se në banesën e një prej të arrestuarve janë gjetur 22 matës të energjisë elektrike, si dhe 13 kuti plastike dhe 9 vula për vendosjen dhe vulosjen e tyre.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda proaktive, të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, mbi kallëzimin e bërë nga Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion e Ministrisë së Drejtësisë, finalizohet operacioni policor i koduar “Kilovati”.

Ekzekutohen masa sigurie, të caktuara nga Gjykata e Gjirokastrës, për 16 shtetas:

“Arrest në burg”, për 4 shtetas dhe “Arrest në shtëpi”, për 6 shtetas, punonjës dhe ish-punonjës të OShEE, Gjirokastër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërdoronin bazën materiale të drejtorisë, si dhe siguronin dhe instalonin matës të energjisë elektrike, pa i regjistruar;

“Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për 6 qytetarë, të cilët vidhnin energji elektrike, nëpërmjet këtyre matësve.

Shpallet në kërkim 1 ish-punonjës, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale.

Sekuestrohen në banesën e njërit prej të arrestuarve: 22 matës të energjisë elektrike, si dhe 13 kuti plastike dhe 9 vula për vendosjen dhe vulosjen e tyre. Gjithashtu, janë sekuestruar sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe dokumente të ndryshme në funksion të hetimit.

Gjatë operacionit “Kilovati”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ekzekutoi masën e sigurisë:

•“Arrest në burg”, për shtetasit:

-S. K., 30 vjeç, banues në Libohovë, me detyrë përgjegjës grupi;

-R. Gj., 60 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë përgjegjës grupi;

-R. B., 51 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë elektricist;

-I. B., 32 vjeç, banues në fshatin Lazarat, ish-punonjës.

•”Arrest në shtëpi”, për shtetasit:

-Xh. B., 62 vjeç, banues në fashtin Mashkullor, me detyrë elektricist;

 -E. Xh., 39 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë faturist;

-R. S., 68 vjeç, banues në Gjirokastër, ish-punonjës;

-S. R., 42 vjeç, banues në Gjirokastër, ish-punonjës;

-S. B., 58 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë elektricist;

-T. B., 37 vjeç, banues në Konispol, me detyrë elektricist.

•Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për 6 qytetarë të akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike.

Nga hetimet dyshohet se punonjësit dhe ish-punonjësit e OShEE, Gjirokastër, kanë shpërdoruar bazën materiale në magazinën e drejtorisë, për të siguruar dhe instaluar matës të energjisë elektrike, pa kontratë me OShEE-në, me qëllim marrjen e përfitimeve të kundërligjshme, nga abonentë familjarë dhe subjekte, të cilët nëpërmjet këtyre matësve, vidhnin energji elektrike.

Në banesën e 32-vjeçarit të arrestuar, u gjetën sendet e sekuestruara me cilësinë e provës materiale dhe u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.

/tvklan.al