Ndërtimet e reja në vendin tonë njohën një rritje të konsiderueshme gjatë tremujorit të fundit të vitit 2024, sipas të dhënave të INSTAT me 317 leje ndërtimi për godina të reja, nga 303 leje tilla të miratuara në tremujorin e katërt të vitit 2023, duke shënuar një rritje prej 4,6%.

Të përllogaritura në vlerë monetare, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 25.8 miliardë Lekë, nga 25.3 miliardë Lekë miratuar për të njëjtën periudhë të vitit 2023 ose 1,8% me shumë.

Të ndara sipas kategorive, INSTAT nënvizon se për 2024 ndërtimet për godina banimi zënë 67.8% të totalit, ndjekur nga 18.5% për ndërtesa të tjera jorezidente, ndërsa për punime inxhinierike rezultuan 13.7%.

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike gjatë vitit 2024, sipas Institutit të Statistikave ishte 106,4 miliardë Lekë, nga 89,6 miliardë Lekë miratuar gjatë vitit 2023, duke shënuar një rritje prej 18,8%.

Të ndara sipas qarqeve, Tirana përbën peshën kryesore të lejeve të ndërtimit për 2024, sipas të dhënave zyrtare, ndjekur nga Durrësi dhe Elbasani.

Klan News