Tremujori i fundit i vitit 2024 shënoi rritje të Produktit të Brendshëm Bruto në terma reale në vlerën e 3.63% në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2023, sipas shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave.

Duke iu referuar këtyre indikatorëve ekonomikë, INSTAT thekson se në vlerësimin paraprak të Produktit të Brendshëm Bruto për vitin 2024 rritja ishte rreth 4%.

Me rritje pozitive u vlerësuan Grupi “Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme” me 7.80%, “Aktiviteti i Ndërtimit” me 6.95% dhe me 6.33% grupi “Informacioni dhe Komunikacioni”.

Referuara po të dhënave të INSTAT, ato tregojnë se gjatë tremujorit të fundit të 2024 zëri që dha kontributin më të lartë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me 1.44 pikë është Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia, kjo e ndikuar edhe nga rritja e pagave në këto kategori.

Ndikim pozitiv në ekonominë shqiptare gjithashtu kanë patur edhe tregtia, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, të cilët lidhen me sektorin e turizmit në vend.

Ndërkohë, sipas INSTAT krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto është rritur me 0.72%. Nga ana tjetër, konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 3.26% në terma reale.

Klan News