Gjatë muajit Korrik shqiptarët shpenzuan kryesisht për ushqime

Pandemia Covid-19 uli konsumin e familjeve shqiptare gjatë muajit korrik, ndërkohë që inflacioni arriti në 1.4%, një normë kjo larg objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, shqiptarët kanë shpenzuar më së shumti për artikuj të domosdoshëm, ndërkohë që gjithnjë e më pak po shpenzojnë për veshje apo udhëtime.

Në muajin që lamë pas Niveli i Përgjithshëm i Çmimeve u ndikua kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe pajisjeve shtëpiake.

Krahasuar me muajin korrik 2019, rritje më të madhe të çmimeve ka në në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,1 %, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,8 %, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,4 % secili dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7 %.

Sipas INSTAT, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 4,8 % për shkak të uljes së çmimit të naftës, pasuar nga grupet “Shëndeti” dhe “Veshje dhe këpucë” me 0,2 % secili.

Tv Klan