Niveli i papunësisë në Shqipëri ka rënë me 1.5 pikë përqindje për 6 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me një vit më parë. Niveli zyrtar i papunësisë, sipas INSTAT, është 12.4% duke shënuar një reduktim të numrit të papunëve me 28 mijë e 500.

Trajektorja rënëse e shkallës së papunësisë ka vazhduar për të shtatin tremujor rresht, e mbështetur nga dy degë të rëndësishme: industria dhe shërbimet.

Në sektorin e industrisë punësimi u zgjerua me 7.1%, te shërbimet me 3.4, ndërsa në bujqësi me 1.2%.

Sërish papunësia tek të rinjtë mban peshën kryesore te numri i të papunëve. 22% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç nuk kanë gjetur ende një punë dhe 5.6% e tyre klasifikohen si të dekurajuar.

INSTAT e harton anketën e forcave të punës në bazë të intervistave që bën te kategoritë e afta për punë. Kjo anketë konsideron të punësuar fermerët në sektorin bujqësor që prodhojnë për konsum vetjak, të vetëpunësuarit që kanë ndërmend rikthehen në biznesin që kanë patur dhe personat që punojnë pa pagesë, por që mund të futen si forcë pune pas 3 muajve.

Tv Klan