Rritet me 40% numri i shqiptarëve që ikën jashtë, vetëm në Dhjetor janë 635 mijë persona

Sipas të dhënave të INSTAT numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri gjatë vitit 2022 është 7.543.817, duke u rritur me 32,6%, në krahasim me vitin 2021.

Por në të njëjtën periudhë, numri i shqiptarëve që udhëtuan jashtë shënoi rritje më të ndjeshme. Të dhënat tregojnë se, numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga Shqipëria në vitin 2022 është 5.882.007 persona duke u rritur 40,4%, krahasuar me vitin e mëparshëm.

Madje gjatë muajit Dhjetor, për shkak të festive të fundvitit ka shënuar rekord, pasi  janë 635 mijë shqiptarë kanë udhëtuar jashtë duke pësuar rritje me 85,2 % në krahasim me Dhjetorin e 2021.

Gjatë vitit 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,6 herë dhe Anglia me 85,9%, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 14,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Turistët nga Kosova janë kryesorët, pasi shqiptarët e Kosovës shënuan shifrën mbi 3 milionë turistë në Shqipëri gjatë vitit të shkuar, me rritje 20% në raport me 2021-in. Në vendin e dytë janë shtetasit nga Maqedonia e Veriut me rritje 19% dhe në numër është 631 mijë.

Në vendin e tretë janë turistët nga Italia , të cilët kanë pësuar një rritje me 74%, 0se 561 mijë hyrje të shtetasve italian. Të dhëna më të detajuara tregojnë se, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë nga pikat ajrore është rritur me 71,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, më pas hyrjet nga pikat detare dhe ato tokësore.

Klan News