“Një nga arsyet është edhe ulja e pagës mesatare në vendin tonë”

Gati 50% e shqiptarëve të punësuar në vend, marrin më pak se 40 mijë lekë ose 320  euro, sipas INSTAT, ndërkohë rritja e pagës minimale me 15% në fillim të këtij viti, nga 26,000 lekë në 30, 000 lekë dha efekt rokadë edhe për nivelet e tjera të pagave. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se kategoritë që paguajnë sigurime me paga të larta janë rritur në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pra nga Janari-Mars 2021, nga totali i të punësuarve, 34.3% e tyre kanë deklaruar në tatime pagë zyrtare prej 30 mijë lekësh, kundrejt një viti më parë që ishin të deklaruar 26.4% e totalit të të punësuarve. Shtimi i numrit të punonjësve në kufirin e pagës minimale erdhi për shkak të rritjes që ndodhi në fillim të vitit, nga 26 mijë lekë në 30 mijë lekë.

INSTAT thekson se rritje shënoi edhe numri i të punësuarve që paguhen me paga 30,000 – 40,000 lekë, me gati 2% në raport me fillimin e vitit 2021. Rritjen më të madhe në numër e shënoi kategoria e të punësuarve me 60,000-95,000 lekë, përkatësisht 22.4% të totalit të të punësuarve në tremujorin e parë në këtë kategori, me rritje vjetore 3.2%.

Gjithashtu në totalin e punësimit u rrit më tej pesha e punonjësve që paguhen mbi 95 mijë lekë, ndryshe nga kategoria e pagës mesatare që shënoi ulje. Sipas INSTAT, punonjësit me paga 50-60 mijë lekë shënuan ulje me 1.1% në totalin e punësimit në raport me tremujorin e parë.

Klan News