INSTAT_rritje

Rritja ekonomike gjatë tremujorit të tretë 2015, shënoi 2,98%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit, bashkë me të dhënat e tremujorëve të mëparshëm, rritja ekonomike si 9 mujor gjatë vitit që kaloi, është afro 2.74%.

Në rritjen ekonomike për periudhën Korrik – Shtator të vitit që kaloi, sipas INSTAT, kontributin kryesor e dha ndërtimi, me 1,45%, më pas vijnë degët e tjera si, Aktivitete Profesionale dhe Shërbimet Administrative, Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia.

Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi dhanë kontribut negativ në rritjen ekonomike të tremujorit të tretë 2015, me minus 0,28%.

Ky sektor paraqitet me rënie prej 1.40%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2014.

INSTAT thotë se Konsumi Final i Popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, në tremujorin e tretë 2015 u rrit me 1,90 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve ranë me 1,95 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve, u ulën me 4,02 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014.

Tv Klan