Ekonomia shqiptare “mbahet në këmbë” nga ndërtimi dhe pasuritë e palujtshme. Konsumi u rrit vetëm me 4%

Rritja ekonomike ka vijuar të mbetet e dobët dhe në tremujorin e dytë të vitit, duke reflektuar konsum të dobët, pavarësisht rritjes së numrit të turistëve. INSTAT bëri të ditur se Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e dytë të vitit 2023 vlerësohet me rritje prej 3,23%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2022. Edhe në tremujorin e parë zgjerimi ekonomik ishte ngadalësuar, duke arritur në 2.83%.  

Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme po vijojnë që të mbajnë në këmbë ekonominë.  Sipas raportit të INSTAT, degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e dytë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, janë Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 14,61%, pasuar nga Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme që ka shënuar një rritje prej 11,72 %. Edhe aktiviteti i shërbimit për periudhën Prill-Qershor, ka patur një rritje me mbi 12%. Ndërsa në rënie janë Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit më rënie 0,04 %, dhe Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit me një rënie me 2,37 %.    

Edhe pse Shqipëria shënoi një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve që në tremujorin e dytë, konsumi i popullatës mbetet i dobët.

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi sipas INSTAT u rrit me 4,03% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2022.  Sa i përket konsumit final të qeverisë u shfaq me një rritje mbi 9%. Ndërsa Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 1,48%, duke thelluar humbjet e këtij sektori për shkak të rënies së Euros, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,42%.

RRITJA EKONOMIKE PËR 2023

Tremujori  I                       2.83%

Tremujori  II                      3,23%

DEGËT SIPAS RRITJES EKONOMIKE

Aktiviteti i ndërtimit                              14,61 %

Pasuritë e Paluajtshme                         11,72 %

Aktiviteti i shërbimit                            12,37 %

Bujqësisë. Pyeje dhe Peshkim              – 0,04 %

Industri, Energji dhe Uji                       – 2,37 %

KOMPONENTET KRYESORE TË PBB

Konsumi final i popullatës                                       + 4,03 %

Konsumi final i qeverisë                                          + 9,29 %

Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks        +11,05 %

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve                         -1,48 %

Importet e mallrave dhe shërbimeve                         + 2,42 %

Klan News