Papunësia në vendin tonë ka shënuar rënie gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se shkalla e papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart ka ardhur në ulje, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu nga të dhënat e INSTAT rezulton se papunësia është ulur me 0,4% për burrat dhe me 0,6 pikë përqindje për gratë.

Më konkretisht, INSTAT në publikimin e fundit bën të ditur se shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10.6% dhe për gratë 11.1%. Ndërsa referuar të dhënave sa i përket grupmoshave, shkalla e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22.5%. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 1.8 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7.8%, duke shënuar një rënie me 1 pikë përqindje.

Në publikimin e INSTAT thuhet se të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 69,3% të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e kësaj grupmoshe 3,6 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Tv Klan