Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Në këtë institut riedukimi vuajnë dënimin edhe 36 të mitur të pashkolluar. Për ta krijohet sivjet një mundësi arsimimi. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Ministria e Drejtësisë ka vendosur që këtë vit shkollor, të burgosurit të bëhen edhe nxënës.

Brenda mjediseve të institutit janë hapur tre klasa dhe një dhomë për mësuesit. Mjediset e mësimit janë bërë gati dhe pritet vetëm baza materiale dhe pajisjet e tjera. Pas nënshkrimit të akt-marrëveshjes mes dy ministrive, më 18 Shtator pritet që edhe këtu të bjerë zilja e mësimit.

36 të dënuarit e moshës nga 15 deri në 18 vjeç, do të ndahen në tre grupe. Nga klasa e parë deri në të katërtën do të jenë në një klasë, nga klasa e pestë deri në të gjashtën do të jenë në një klasë tjetër dhe grupi i fundit do të bëjë mësimet e klasës së shtatë e të tetë bashkë./tvklan.al