Në emisionin “Pro Business” në Tv Klan, sipërmarrësi i njohur Bujar Zhuri foli me theks për sfidat dhe mundësitë e ekonomisë shqiptare në procesin e integrimit europian. Diskutimi u fokusua në disa aspekte kryesore që përcaktojnë të ardhmen ekonomike të vendit tonë.

Zhuri vuri në dukje se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku partneriteti me Bashkimin Europian po e bën vendin tonë gjithnjë e më tërheqës për investitorët e huaj.

 “Partneriteti me BE po transformon Shqipërinë në një magnet për investime të huaja, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe prodhimit,” theksoi Zhuri.

Duke u referuar periudhës post-zgjedhore, sipërmarrësi e shikonte këtë moment si një shans historik për vendin tonë.

 “Pas mbylljes së zgjedhjeve, Shqipëria ka mundësinë të ndërtojë strategji më agresive për tërheqjen e investimeve të huaja,” shprehu ai.

Një nga idetë që propozoi ishte krijimi i një regjimi taksor më konkurrues, duke marrë si shembuj vende si Malta dhe Qipro, ku kompanitë ndërkombëtare gjejnë kushte taksimi të favorshme për vendosjen e selive të tyre.

Zhuri vuri një theks të veçantë në lidhjen organike ndërmjet turizmit dhe bujqësisë. Sipas tij, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm kërkon një qasje të integruar.

 “Zhvillimi i turizmit duhet të shoqërohet me përmirësimin e bujqësisë dhe industrisë ushqimore,” argumentoi ai.

 Kjo qasje do të mundësonte reduktimin e importeve dhe rritjen e prodhimit vendas, duke siguruar që të ardhurat të qëndrojnë brenda vendit dhe të përfitonin qytetarët dhe bizneset shqiptare. Një nga vërejtjet më të rëndësishme të Zhurit ishte mungesa e fuqisë së pushtetit lokal.

“Pa fuqizimin e pushtetit lokal, Shqipëria nuk do t’i afrohet modeleve evropiane,” paralajmëroi ai.

Zhuri argumentoi se bashkitë duhet të kenë më shumë autonomi për të menaxhuar burimet dhe për të tërhequr investime të huaja pa varësi të qeverisë qendrore, duke marrë si model vendet skandinave ku decentralizimi ka dhënë rezultate të shkëlqyera./tvklan.al