“Lufta e Dytë Botërore ka mbaruar, por Lufta e Parë Botërore nuk ka përfunduar ende”.

Këto ishin fjalët e një zyrtari të lartë turk që kam takuar kohët e fundit në Ankara. Ai po fliste për Lindjen e Mesme, por ishte një koment të cilin mund ta kisha dëgjuar edhe në Moskë, në Kiev ose në Ballkan, lidhur me gjendjen në Kontinentin Evropian.

Një vend në të cilën nuk mund ta dëgjoja këtë gjë do të ishte Brukseli. Kjo për shkak se Bashkimi Evropian është ende i papërgatitur për të jetuar në një botë ku gjeopolitika është kthyer pas, në të cilën qeveritë, si dhe shumica e njerëzve të thjeshtë, janë të fiksuar pas kufijve dhe territoreve dhe tentojnë ta përcaktojnë suksesin më shumë nëpërmjet krenarisë kombëtare sesa rritjes ekonomike.

Kjo është ajo që po ndodh sot në Ballkanin Perëndimor, ku aftësia e BE-së për të menduar dhe për të vepruar si një lojtar gjeopolitik është duke u vënë në provë. Më herët gjatë këtij muaji, BE prezantoi strategjinë e saj të re të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi i saj i deklaruar është të inkurajojë reformat në Serbi, Mal i Zi, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, duke rinovuar perspektivën e anëtarësimit. Institucionet e Brukselit, të cilat e gjejnë veten në mes të një rritjeje populiste që ndikojnë në shumicën e vendeve të BE, tashmë duket se kanë guximin të shpallin përsëri se premtimi i anëtarësimit nuk është një mrekulli e vogël.  

Kur bie fjala për anëtarësimin në BE, dallimi mes pesimistëve dhe optimistëve është se optimistët besojnë se Turqia do të hyjë në BE gjatë presidencës së Shqipërisë, ndërsa pesimistët besojnë se Shqipëria do të hyjë në BE gjatë presidencës së Turqisë. Që do të thotë: Kurrë.

Brukseli ka të drejtë të bëjë të qartë se statusi quo është i paqëndrueshëm. Por pa ndonjë informacion shtesë, ky njoftim rrezikon të prodhojë paqëndrueshmëri në rajon. Ajo që BE duhet të ketë më shumë frikë, është një përsëritje e skenarit ukrainas, në të cilin mbështetja e qeverisë për aspiratat evropiane shkakton një reagim të ashpër nga kundërshtarët e zgjerimit, në vend që të mbledhë qeveritë evropiane rreth projektit.

Shumë faktorë e kanë sjellë Ballkanin përsëri “në front”, si përshembull kriza e refugjatëve, e cila tronditi thellë rajonin. Tani ka një shans në rritje për një integrim më të madh, pas një periudhë në të cilën BE u bë e njohur si një organizatë që jepte pak para dhe që kishte shumë kërkesa.

Një zhvillim inkurajues, edhe pse nuk është vënë shumë re, ka qenë ratifikimi i fundit i një traktati miqësie mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, dy vende, marrëdhëniet e të cilëve kanë qenë prej kohësh të tensionuara, kryesisht mbi çështjet e pakicave. Duke arritur këtë gjë, ata kanë sinjalizuar se ka ardhur koha për të gjetur zgjidhje për disa probleme të rajonit.

Por që BE të ketë sukses në ambicien e saj për të transformuar rajonin, ajo duhet të jetë e vetëdijshme për ndryshimet gjeopolitike të rëndësishme që kanë ndodhur. Në vitin 2003, kur BE-ja premtoi anëtarësimin e parë, dukej se kishte pak dyshime nëse e ardhmja e rajonit do të ishte evropiane. Rusia po e shihte Ballkanin kryesisht si një zonë tranziti për eksportet e saj të energjisë në tregjet e Evropës Perëndimore. Ambicia e Moskës më pas ishte të ruante një shkallë të ndikimit sesa të konkuronte me Brukselin.

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, Turqia ishte entuziaste për shanset e saj për të hyrë në BE. Si rezultat, ajo i përshtati politikat e Ballkanit në mënyrë që të tregonte vlerën e vet strategjike në Europë. Në atë kohë, askush nuk foli për Kinën në Ballkan.

Sot, konkurrenca gjeopolitike është e përhapur. Kina do të bëhet investitori i huaj numër një në Serbi këtë vit. Planet për të ndërtuar një hekurudhë me shpejtësi të madhe në mes të portit grek të Pireut dhe Budapestit, nëpërmjet Beogradit janë me vlerë të madhe për Kinën, ndërkohë që po pozicionon rrugën e saj tregtare “një rrip, një rrugë” midis Azisë dhe Evropës. Kinezët shpresojnë se Ballkani Perëndimor përfundimisht do të integrohet në tregun e përbashkët evropian, megjithëse Kina nuk po bën përpjekje që projektet e saj të infrastrukturës të pajtohen më rregullat e BE.

Kjo ngre shumë pyetje. A duhet që BE të fillojë t’i shtyjë vendet e Ballkanit perëndimor të miratojnë rregullat e sigurimit tani ose më vonë? Dhe a është BE gati të ofrojë kompensim nëse këto shtete përfundojnë me humbjen e investimeve kineze si pasojë e integrimit në BE? Qasja e Rusisë ka ndryshuar gjithashtu. Brukseli nuk ka nevojë të ketë një spiun në Kremlin që të dijë se Moska do të bëjë gjithçka që mundet për të penguar hyrjen e Maqedonisë në NATO – jo për shkak të rëndësisë së saj strategjike, por për vlerën e saj simbolike.

Dhe politikëbërësit evropianë duhet të jenë të vetëdijshëm se nëse mosmarrëveshja afatgjatë midis Greqisë dhe Maqedonisë, (mbi emrin e kësaj të fundit) nuk zgjidhet para takimit të ardhshëm të BE në Ballkanin Perëndimor në Maj, atëherë kjo do të thotë një humbje e dyfishtë: ambiciet e Maqedonisë do të jenë trazuar dhe përpjekjet e Brukselit për t’u marrë seriozisht në rajon do të dështojnë.

Rajoni i Ballkanit është vendi ku Rusia mund të punojë për të destabilizuar BE-në me kosto shumë të ulët politike për vete, si në aspektin monetar ashtu edhe në rrezikimin e një konfrontimi me SHBA. Pra, varet nga diplomacia evropiane të bindë Moskën se tensionet në rritje nuk do të ishin në interesin e saj më të mirë. A është BE gati për këtë?

Pastaj është edhe Turqia, një vend, marrëdhëniet e të cilit me BE-në qëndrojnë në një nivel historik. Është ende e paqartë se si presidenti i saj, Rexhep Taip Erdogan do të luajë gurët e tij në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa Ankaraja është duke u përpjekur të ndërtojë ndikimin e saj në mesin e komuniteteve myslimane në Ballkan, Moska po shfrytëzon levën e vet mbi të krishterët ortodoksë. A mundet që Rusia dhe Turqia të bashkërendojnë politikat e tyre, ashtu siç kanë tentuar të bëjnë në Siri?

Nëse BE-ja tregohet e ngadaltë për t’u zgjuar ndaj këtyre realiteteve të reja gjeopolitike, strategjia e saj për Ballkanin Perëndimor do të pësojë disfatë.

Burimi: The Guardian 

Shqipëroi: tvklan.al