Opinion-Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më datë 01 Prill 2004 trajton integrimin e Shqipërisë në BE. Emisioni u çel me deklaratën e Ambasadorit të Komisionit Evropian në Tiranë në ato vite, Lutz Salzman, i cili theksoi problematikat në vend dhe se sipas tij ishte momenti që të gjitha partitë politike të sigurojnë se zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005 të jetë të lira dhe të ndershme.

“Në çdo vend ku demokracia funksionon, ndryshimi i pushtetit ndodh përmes zgjedhjeve të ndershme, pa forcë dhe dhunë, kështu duhet të ndodhë edhe në Shqipëri. Mendoj se tani është momenti që të gjitha partitë politike të sigurojnë se zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005 do të jetë të lira dhe të ndershme. Të jenë të aftë të pranojnë këto objektiva. Është vërtetë momenti që partitë politike të bëjnë përgatitjet e nevojshme. Siç e dini nga zgjedhjet e mëparshme lokale kemi pasur disa probleme, siç ishte kompozimi i komisioneve zgjedhore, listat e votuesve dhe regjistrimin e tyre, gjithashtu probleme kishte edhe për aprovimin e zgjedhjeve pas mbarimit të procesit. Pikat kritike që i adresohen Shqipërisë mbetet lufta kundër krimit, korrupsionit, trafikut dhe menaxhimi i vendit përmes administratës publike. Situata problematike vijon të mbetet edhe në sistemi gjyqësor, të cilat nuk po tregojnë se janë funksionale” ,tha Lutz Salzman për zgjedhjet e vitit 2005.

Për të diskutuar lidhur me raportin ishin të ftuar në emisionin e datës 01 Prill 2004, Ministrja e Integrimit Ermelinda Meksi, kryetari i PR Fatmir Mediu, deputeti i PD, Besnik Mustafaj dhe Ministri i Shtetit, Marko Bello.

“Nuk do të preferoja të gjykoja raportin, i cili është një raport periodik vlerësimi që Komisioni Evropian i drejton vendeve që janë në procesin e stabilizim asocimit. Ai është një raport konstruktiv dhe qeveria është bashkëautore në këtë raport”, tha Meksi.

“Maxhoranca ka prodhuar këtë realitet për të cilin flitet në raport. Është i njëjtë me raportet e para një viti, apo dy viteve. Nuk ka asnjë surprizë për ne, ka vetëm dëshpërim, sepse shohim të njëjta probleme që vijojnë pa asnjë lloj zgjedhje. Mos zgjedhja e tyre prodhon dëshpërim”,tha Mustafaj.

“Ne nuk mund të jemi të kënaqur për këtë raport. Ka pasur probleme”,tha Bello.

“Mendoj se qeveria duhet ta lexojë seriozisht këtë raport. Ky raport i është drejtuar një qeverie problematike dhe është shqetësues fakti që ky raport është i njëjtë me të mëparshmit”,tha Mediu.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012