Presidenti i Gjermanisë: Ballkani perëndimor nuk është i lëne në harresë

Në prag të vizitës në Shqipëri, presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier vlerëson vendin tonë në punën e bërë deri më tani për integrimin në BE. Në një intervistë për DW presidenti gjerman thotë se janë bërë hapa vendimtarë.

 “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë hapa vendimtare përpara. Kjo forcon vetëbesimin në këto vende dhe gjithashtu ua bën të qartë të tjerëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, se ky hap ia vlen. E  kuptoj padurimin, pa diskutim. Por nuk jemi as në fazën kur duhet të flasim për shkurajim”, ka thënë Steinmeier.

Steinmeier foli edhe për  synimet e vizitës së tij në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

 “Unë do t’u siguroj se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i harruar. Udhëtimi në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri shërben gjithashtu për të dërguar mesazhin për të gjithë rajonin: Nëse do të bëjnë progresin përkatës në vendet e tyre, atëherë edhe rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të bëhet më e lehtë”, u shpreh Steinmeier.

Steinmeier do të zhvillojë turin në datat 1 dhe 2 Dhjetor, ku pritet të takojë krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Klan News