Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është në rrugën e duhur, por mund të ndodhë atëherë kur askush nuk e pret. Kështu u shpreh këtë të enjte kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi në Këshillin Atlantik.

I pyetur nëse mendon se metodologjia e re e BE-së do i japë mundësinë Shqipërisë që të fillojë negociatat që këtë vit, Rama refuzoi të përgjigjej. Ai tha se është zhgënjyer mjaftueshëm dhe nuk mund ta parashikojë se kur do të vendoset për çeljen e negociatave.

“Mos më pyesni për këtë. Nuk do të them më asgjë që kjo do të ndodhë në këtë stacion, apo në këtë stacion. Kam thënë mjaftueshëm, jam zhgënjyer mjaftueshëm dhe nuk mund të them se kur mund të ndodhë. Me këta të gjithë nuk i dihet asnjëherë. Janë 27 krerë shtetesh që kanë 27 lloje zgjidhje, 27 lloje problemesh. Nuk e di se çfarë mund t’i ndodhë atyre. Procesi është në drejtimin e duhur dhe ne po vazhdojmë të bëjmë punën në të njëjtën mënyrë siç do bënim nëse do ishin çelur bisedimet për anëtarësim. Shqipëria nuk po humb kohë, nuk është ulur dhe nuk po qan, dhe nuk po pret ndonjë mrekulli. E mira e kësaj është që ka për të ndodhur atëherë kur nuk e presim që të ndodhë”.  

Rama theksoi se BE-ja nuk i hapi negociatat për shkak të problemeve të brendshme që ka vetë unioni. Megjithatë, sipas tij ka pasur një nivel hipokrizie mes shteteve anëtare. I vetmi i drejtpërdrejtë sipas kreut të qeverisë ka qenë Presidenti Macron.

“Natyrisht kanë një nivel të caktuar hipokrizie sepse do kishte qenë shumë më tepër e natyrshme, e ndershme dhe e pranueshme që të thonin “dëgjoni ju i keni bërë detyrat, por ne nuk jemi gati të flasim për këtë tani sepse duhet të zgjidhim disa probleme”. Për këtë dua të them se Presidenti francez ka qenë më i drejtpërdrejti sepse është gjithmonë e lehtë që t’i thuash një vendi si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut që nuk jeni gati akoma sepse keni disa të këqij këtu, e disa praktika këtu dhe natyrisht janë të vërteta, por ne nuk po flasim për t’u bërë anëtarë, por po flasim për të çelur bisedimet për anëtarësim. Për këto na u dha një letër me kushte dhe KE i certifikoi si të përmbushura”./tvklan.al