Integrimi, Rama: Shqipëria i ka plotësuar kushtet



Integrimi, Rama: Shqipëria i ka plotësuar kushtet

15:07 01/03/2021

“I bëjmë reformat sepse u detyrohemi fëmijëve dhe të ardhmes”

Shqipëria dhe BE-ja zhvilluan këtë të hënë takimin e 11 të Këshillit të Stabilizim Asociimit. Në përfundim pati një konferencë për shtyp ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, Përfaqësuesi i Lartë në BE, Josep Borrell dhe eurokomisioneri Oliver Varhelyi.

Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij se Shqipëria i ka kryer detyrat e saj për të zhvilluar konferencën e parë ndërqeveritare. Ai u shpreh se detyrat nuk kryhen sepse i kërkon BE-ja, por sepse e kërkon e ardhmja.

“Theksohet nga ju që Shqipëria ka bërë gjithçka duhej të bënte për çeljen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ne e dimë si shkojnë gjërat, por gjëja më e rëndësishme për ne është që e kemi bërë punën tonë dhe jemi përherë shumë të vëmendshëm të dëgjojmë Komisionin, sepse Komisioni është mekanizmi më i lartë vlerësues mbi baza faktike të progresit të një vendi. Së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, shpresoj që Plani për Investimin në Ballkan i prezantuar nga eurokomisioneri Varhelyi është një instrument jashtëzakonisht i dobishëm për të forcuar ekonomitë tona, për ta bërë të ardhmen tonë më të sigurt dhe më të mirë, ndërkohë që luftojmë të ecim përpara në procesin integrim. Ne nuk i bëjmë këto reforma se na i kërkoni ju, por këto reforma janë ajo ç’ka u detyrohemi brezave që vijnë. BE-ja është një bekim për të njerëzit tanë. Mund të duket si mallkim në rrethanat aktuale, por është një dhimbje që duhet të merremi në emër të së ardhmes. Nuk ka asgjë në të ardhmen tonë që të krahasohet me BE-në”.

“Kandidatë me integritet në zgjedhje”, Borrel mesazh për politikën shqiptare

Përfaqësuesi i Lartë në Bashkimin Europian, Josep Borrell, në konferencën e përbashkët për shtyp në Bruksel krah Kryeministrit Edi Rama, përgëzoi Shqipërinë për rezultatet në fushën e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës dhe inkurajoi zbatimin e reformave.

Së pari Shqipëria është një partner kyç për BE-në është partner i besueshëm për sigurinë dhe në shumë aspekte një shembull për rajonin. Shqipëria është 100% në përputhshmëri të plotë me vendimet e politikës së BE-së për çështjet e jashtme dhe sigurisë. BE është në fakt partneri më i fortë i Shqipërisë dhe do vazhdojmë t’ju ndjekim dhe t’ju qëndrojmë në krah në rrugën drejt BE-së. Do të vazhdojmë t’ju japim mbështetje si për pasojat pas tërmetit dhe atyre të Covid. Përgëzuam Shqipërinë për rezultatet që janë arritur në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Përgëzojmë Shqipërinë dhe inkurajojmë për zbatimin e reformave”.

Borrel u ndal edhe tek zgjedhjet. Ai theksoi nevojën për lista kandidatësh me njerëz me integritet, ndërsa një mesazh e kishte për të gjithë udhëheqësit politikë, që integrimi europian duhet të jetë një objekt i të gjithëve dhe për të cilët tregohet angazhim i të cilëve. Polarizimi i skajshëm tha ai pengon integrimin.

“Për zgjedhjet që do të ketë theksojmë nevojën që të gjithë të sigurojnë në lista kandidatësh njerëz me integritet. Kjo është shenjë që vendi do ta luftojë korrupsionin. Sa u përket zgjedhjeve kemi mesazh për të gjithë udhëheqësit politik, integrimi europian duhet të jetë një objekt i të gjithëve dhe për të cilët tregohet angazhim i të cilëve. Polarizimi i skajshëm nuk është shenjë e pjekurisë politikë dhe nuk i shërben vendit, pasi pengon integrimin. Me shumë kërshëri po presim që të organizojmë konferencën ndërqeveritare”.

Rama e thotë nga Brukseli: U lamë jashtë sistemit të vaksinave, ishte tronditëse që…

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe nga Brukseli kritikat e tij në lidhje me shpërndarjen e vaksinave për Ballkanin Perëndimor. Kreu i qeverisë tha se ishte tronditëse për njerëzit, të cilët edhe pse jetojnë në kufi me BE-në të mos bëheshin pjesë e vaksinave. Kreu i ekzekutivit u shpreh i lumtur për nisjen e shpërndarjes së dozave nga Covax.

“Ishte moment delikat që ne, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit u lamë mënjanë në shpërndarjen e vaksinave. Ishte një moment tronditës për njerëzit tanë, pasi siç e dinë të gjithë, ne nuk jetojmë në kufi me BE-në, ne jetojmë brenda BE-së, por jemi të rrethuar nga kufijtë e BE-së. Duke pasur ne të sëmurët tanë, njerëzit tanë, të cilët e ndjenë se vaksinat nuk ishin diçka që meritonin të kishin në një kohë me të tjerët ishte diçka e keqe shumë. Sot ka 140 vende që nuk kanë nisur asnjë injeksion. Sot ka 10 vende që kanë 70% të prodhimit. Është e vështirë jo vetëm për ne, por edhe për BE-në dhe shpresoj që kjo të zgjidhet. Jam i lumtur të dëgjoj që Covax po nis më në fund t’u japë vendeve dozat e para dhe do të jemi shumë të lumtur që të marrim vaksinat AstraZeneca. Po punojmë shumë fort për të rritur kapacitetet edhe pse nuk qe zgjedhja jonë më e mirë, po shohim përtej burimeve të dëshirueshme të vaksinave”, tha Rama.

Varhelyi: Shqipëria ka përmbushur të gjitha kriteret për Konferencën e Parë Ndërqeveritare

Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka përgëzuar Shqipërinë për përmbushjen e të gjitha kritereve për Konferencen e Parë Ndërqeveritare.

Mes të tjerash ai theksoi në takimin e 11-të Këshillit të Stabilizim-Asociimit në Bruksel midis Shqipërisë dhe BE, se Shqipëria po jep rezultate dhe po mban premtimet që ka bërë, duke e konsideruar këtë si diçka shumë të rëndësishme.

“Unë dëshiroj që t’ju përgëzoj dhe të plotësoj disa gjëra nga ato që tashmë janë thënë. Dëshiroj gjithashtu të tërheq vëmendjen për faktin që Shqipëria është ai vend i cili jo vetëm që ka vuajtur për pandeminë, por para pandemisë iu desh që të përballej me një tërmet të fortë. Kështu që sfidat janë të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe ndoshta janë shumë në numër se sa gjetkë në rajon.

Megjithatë po vazhdojmë të shikojmë që Shqipëria po jep rezultate dhe po mban premtimet që ka bërë dhe po përmbush kriteret që duheshin përmbushur për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, dhe duhet ta themi këtë që të jepet një sinjal shumë i qartë që jo vetëm Shqipëria ka mundr ta bëjë këtë gjë, por edhe ka dhënë rezultate qoftë për mbështetjen e së drejtës apo në fusha të tjera. Pra ta përçojmë këtë mesazh për sundimin e ligjit dhe Reformën në Drejtësi.

Dua të përsëris edhe atë që është thënë në këtë vlerësim të përbashkët për procesin e Vettingut meqenëse po ecën fuqishëm. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë kemi arritur aty ku duhet.

Nga ana jonë vlerësimi që ne po u japim shteteve tona anëtare të BE-së është që gjithçka është përmbushur tashmë për Konferencen e Parë Ndërqeveritare, pra të gjitha kriteret”, u shpreh Varhelyi.

Varhelyi rendit garancitë për zgjedhjet: Marrëveshja mes partive, rekomandimet e ODIHR dhe vëzhguesit

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të BE-së, Josep Borrell dhe Oliver Varhelyi, këta të fundit kanë deklaruar se duhen zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për të pasur zgjedhje të rregullta më 25 Prill.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell citoi vendimin e Këshillit Europian vitin e kaluar për nisjen e proceseve gjyqësore për personat që akuzohen për shitblerjen e votave.

Josep Borrell: Sa i përket zgjedhjeve kuptojmë që përgatitjet praktike për zgjedhjet e ardhshme janë në proces e sipër. E kemi inkurajuar kryeministrin që të ndjekë aspektet që vijnë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR. Sa i përket çështjes së shit blerjes së votës, në raportin e fundit të KE për shqipërian theksohej rëndësia e një hetimi të shpejtë dhe transparent të akuzave për shkelje të dyshuara zgjedhore. Po kështu vendimi i Këshillit në Mars të 2020 theksojnë se nisja e proceseve gjyqësore kundër atyre që akuzohen për blerjen e votës është një nga ato çështje që duhet reflektuar në kuadrin negociues në kuadër të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë. Ky është qëndrimi zyrtar i Këshillit dhe komisionit.

Ndërkohë, eurokomisioneri Oliver Varhelyi rendit garancitë për zgjedhjet e 25 Prillit që sipas tij janë që nga reforma zgjedhore e arritur me marrëveshje mes palëve, rekomandimet e ODIHR, por edhe vëzhguesit që do të dërgohen. Varhelyi u shpreh se Komisioni Europian e konsideron plotësisht funksionale Gjykatën Kushtetuese, ndërsa për Gjykatën e Lartë tha se shpreson që të jetë e plotësuar para zgjedhjeve.

Oliver Varhelyi: Po përveç ajo që tha përfaqësuesi i lartë është që ne po i afrohemi zgjedhjeve që janë përgatitur në një mënyrë mjaft tërësore. Kemi pasur një marrëveshje mes partive parlamentare dhe jashtëparlamentare për reformën zgjedhore. Kjo reformë qe në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kjo u vijua nga opinioni i Komisioni i Venecias. Besojmë që nga pikëpamja legjislative kjo është realizuar. Shtresa e tretë e garancisë është pjesëmarrja e vëzhguesve në zgjedhje. Ky është një element i ri dhe sjell garanci të mjaftueshme ofrohen në sistem.  Do të kemi vrojtime në terren nëse do të ndodhë një gjë e tillë se çfarë masash do të merren. Ne duam që ligji të zbatohet me fuqi të plotë dhe të shohim që të gjitha përpjekjet të bëhen nga organizatorët e zgjedhjeve për blerjen e votave. Jemi diçka që e kemi biseduar dhe Shqipëria po bën. Pyetja juaj në raport me Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. E konsiderojmë Kushtetuesen si plotësisht funksionale. Ka numrin e gjyqtarëve për të mbajtur seancat dhe vendimet. Na mungojnë edhe dy gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Edhe emërimi i tyre është në rrugë e sipër. Shpresojmë që para zgjedhjeve të jenë bërë emërimet e tyre.

Rama kapet me gazetaren: E pabesueshme, 20 të akuzuar për blerjen e votave

Kryeministri Edi Rama deklaroi pas një konference me zyrtarët e lartë të BE-së se në Shqipëri janë 20 persona që janë akuzuar në lidhje me shitblerjen e votave. Kreu i qeverisë replikoi me një gazetare, deklaratën e së cilës e konsideroi të pabesueshme.

“Ju ngritët çështjen e zgjedhjeve që do të vijnë. Disa parregullsi janë regjistruar në zgjedhjet e mëparshme si trysni, përdorimi i administratës publike dhe shitblerja. Këto janë parakushte në vendimin e Këshillit dhe reflektohen në ndryshimet e fundit ku thuhet se këto çështje të dyshuara nuk kanë shkuar në gjykatë dhe asnjë punë nuk është bërë në këtë drejtim. A e ndani këtë shqetësim të PE-së dhe vendeve anëtare sa i përket shitblerjes dhe a e keni marrë nga qeveria se këto parregullsi nuk do të përsëriten”, pyeti ajo.

Ishte pikërisht kjo pyetje që shkaktoi edhe reagimin e kreut të qeverisë. “Aktivizëm dembel”, tha Rama duke shtuar se të akuzuarit për blerje të votave janë nga të gjitha partitë.

“Është mjaft mbresëlënëse të dëgjoj në gjuhën time një deklaratë kaq të pabesueshme si askush nuk është hetuar, asgjë nuk ka ndodhur sa i takon rasteve të dyshuara për blerje vota, ndërkohë që ka 20 persona të akuzuar nga prokuroria dhe ndërkohë që flasim janë në proces e sipër. 20 persona të dyshuar për blerje vota nga të gjitha partitë. Është mbresëlënëse që të shoh këtë aktivizëm dembel që shpreh vetveten në këtë tempull shumë të lartë të BE-së, por ja që kështu është”, u shpreh Rama./tvklan.al







Të ngjashme