Ronaldo ‘shterpë’ në barazimin e Juves, Atalanta shpartallon Bologna-n me Manita

Inter është vetëm 5 pikë larg titullit kampion në Seria A. Zikaltërit kursyen golat për të mposhtur Veronën, megjithatë arritën që të merrnin pikë të plota dhe të shikonin më afër titullin që mungon prej 11 vitesh.

Darmian shënoi golin e vetëm përballë veronezëve që janë praktikisht edhe sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit italian. Juventus barazoi 1-1 me Fiorentinën duke treguar limitet e javëve të fundit. Vjolët kaluan të parët në avantazh me Vlahoviç, teksa në prekjen e parë të topit, Morata shënoi golin me vlerën e një pikë.

Ronaldo sërish shterpë, çka tregon formën jo të mirë të portugezit. Sulmuesi nuk shënon prej 4 sfidash, diçka që ndodh për herë të parë në karrierën e tij. Ky barazim vë në rrezik pozicionin që të dërgon në Champions, me torinezët që tashmë shikojnë akoma dhe më afër rivalët. Nëse kualifikimi nuk ndodh, e ardhmja e Ronaldos duket të jetë larg Torinos.

Atalanta është skuadra e momentit në Seria A italiane. Bergamaskët kanë arritur të fitojnë 5-0 takimin e javës së 33-të ndaj Bolonjës, duke regjistruar kështu takimin e 7-të radhazi pa humbje. Blukaltërit dominuan totalisht kundërshtarin, me Malinovski e Muriel që shënuan në 45 minutëshin e parë.

Me fillimin e së dytës, Bologna mbetet me një lojtar më pak dhe Atalanta rrit presionin, duke shënuar dhe 3 herë me Fraler, Zapata dhe Mirançuk. Me këtë fitore, Atalanta ngjitet në kuotën e 68 pikëve, 11 pikë më pak se Interi kryesues.

Klan News