Ish-lojtari i Bayern Munich dhe Inter, Karl-Heinz Rummenigge, ka analizuar sfidën mes dy ekipeve, në çerekfinalen e kthimit në Ligën e Kampioneve.
Sipas tij, gjermanët do e kenë të vështirë, për shkak të humbjes 2-1 në ndeshjen e parë në shtëpi.
Rummenigge theksoi se Interi është favorit për të kaluar më tej, por shtoi se edhe gjermanët i kanë mundësitë për të bërë mirë.
“Për Bayernin duhet një mrekulli e vogël për të kaluar më tej, pas humbjes në ndeshjen e parë në Mynih. Interi u shfaq një ekip shumë i mirë. Kështuqë do të jetë një ndeshje e vështirë për Bayernin, edhe pse jo e pamundur. Për mua Interi është favorit për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.
Me një ndeshje të vetme, gjithçka është e mundur. Mund të rikuperosh disavantashin e një goli dhe ta dërgosh ndeshjen në shtesa. Bayernit i duhet një ndeshje e mirë. Në Mynih pas golit të Muller, duhet të ishin kënaqur me barazimin, por ata u hodhën në sulm për përmbysjen”, deklaroi Rummenigge për “La Gazzetta dello Sport”.
Ndeshja Inter-Bayern Munich do të luhet të Mërkurën, duke nisur nga ora 21:00. /tvklan.al